SHBA – Trump pranon debatin me Biden pavarësisht ndryshimit të rregullave

UASHINGTON, 20 tetor /ATSH-AA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon të marrë pjesë në debatin e së enjtes me të nominuarin demokrat Joe Biden pavarësisht ndryshimeve të rregullave, që i kundërshton kampi i tij dhe të cilat kanë për qëllim të nxisin debate më të drejta.

Menaxheri i fushatës së Trumpit, Bill Stepien, thotë se Trump është i përkushtuar për të debatuar me Joe Biden pavarësisht ndryshimit të rregullave të minutës së fundit nga komisioni i njëanshëm në përpjekjen e tyre të fundit për të siguruar përparësi për kandidatin e tyre të preferuar.

Komisioni jopartiak për debatet presidenciale njoftoi të hënën se debati i dytë dhe i fundit midis dy kandidatëve do t’i mbyllë mikrofonin secilit të nominuar ndërsa tjetri jep vërejtjet e tij dy minutëshe në fillim të secilës nga gjashtë temat e debatit.

“Pjesa e mbetur e secilit bllok 15 minutësh do të jetë diskutim i hapur, pa asnjë mbyllje të mikrofonit”, theksoi komisioni.

Kjo masë ka për qëllim të parandalojë përsëritjen e debatit të hapjes tre javë më parë kur dy kandidatët, kryesisht Trump, ndërprenë njëri-tjetrin në mënyrë të përsëritur.

Kampi i Biden nuk ka komentuar menjëherë rreth rregullave të reja./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.