Protesta e PDIU/ Procedohen penalisht 18 shtetas për grumbullim të paligjshëm, në kundërshtim me masat antiCOVID

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot pas protestës së thirrur nga PDIU ndaj vizitës së kryediplomatit grek në Tiranë, se ka proceduar penalisht 18 shtetas, 3 prej tyre organizatorë të tubimit.

Ata akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.

Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht 3 organizatorët e tubimit Sh. I., M. D., B. A. dhe 15 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë i kanë vendosur masat administrative përkatëse (gjobë), shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat parandaluese anticovid dhe iu bën thirrje të gjitha subjekteve politike të mos organizojnë tubime dhe grumbullime duke shkelur protokollet e sigurisë në dëm të shëndetit të qytetarëve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.