Meta: Parashikimet e FMN-së për ekonominë, tepër shqetësuese

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se, “parashikimet e muajit tetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë tepër shqetësuese”.

“Shqipëria parashikon uljen ekonomike më të lartë në rajon. Si pasojë dhe rënia e të ardhurave për frymë është nga më të lartat”, u shpreh ai.

“Qytetarët shqiptarë, jo vetëm do të varfërohen më shumë, por dhe do të kenë një barrë më të lartë të borxhit për të paguar”, tha Meta.

“Konkretisht të ardhurat për frymë për Shqipërinë në vitin 2020 parashikohen të arrijnë në 4898 USD/për frymë, ndërkohë që në Malin e Zi në 7933 USD/për frymë, në Serbi në 7497 USD/për frymë, në Maqedoninë e Veriut në 6019 USD/për frymë”, u shpreh Meta.

“Varfërimi do shoqërohet dhe me rritjen e barrës së borxhit. Sipas parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, niveli i borxhit publik në fund të vitit 2020  (pa llogaritur detyrimet e shumta të Qeverisë) do të arrijë në rreth 83.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto”, nënvizoi Meta.

“Ndërsa të Ardhurat për Frymë në vitin 2020 do të ulen në rreth 425 USD krahasuar me vitin 2019, Borxhi Publik për Frymë do të rritet në 373 USD krahasuar me vitin 2019”, theksoi Meta.

“Në vitin 2020 Të Ardhurat për Frymë do të ulen në nivelin 4898 $ USA krahasuar me 5323 $ USA në vitin 2019”, shtoi Meta.

“Ndërsa Borxhi Publik për Frymë do të rritet në 4079 $ USA, krahasuar me 3606 $ USA në vitin 2019”, tha Meta.

“Këto të dhëna tregojnë qartë që rritja e Borxhit Publik nuk po adreson rritjen ekonomike dhe rritjen e të ardhurave për frymë, por përkundrazi po thellon papunësinë dhe varfërinë në vend”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.