Kryemadhi: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor taktikë elektorale, nuk do kërkoj shpërndarjen e parlamentit

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot se ndryshimet Kushtetuese dhe ato për Kodin zgjedhor janë vetëm një taktikë elektorale.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryemadhi u shpreh se, “taktikat elektorale nuk shtojnë vota në kutitë e votimit. Mund të ndryshojnë taktikën, sistemin, por në fund të fundit numri i votave në kuti është i njëjtë”.

Nga ana tjetër, ajo shtoi se, “sa i përket strategjisë që do të ndjekë opozita ne jemi në pritje se çdo të ndodhë me Kodin Zgjedhor”.

“Të paktën në ato konferenca shtypi që ne kemi dëgjuar nga presidenti i Republikës na ka bërë të qartë sepse i ka dhënë fjalën qoftë Komisionerit të Zgjerimit, qoftë partnerëve ndërkombëtarë për t’i krijuar dhe një shans dhe një mundësi tjetër mazhorancës për të mos dalë mbi dakordësimin e 5 qershorit në mënyrë të tillë që të ruhet një lloj serioziteti dhe të krijojmë hapësirën e eliminimit të pikës së parë që është një nga kushtet kryesore të listës të kushteve kryesore të BE për hapjen e negociatave që është miratimi i Kodit Zgjedhor, i 5 rekomandimeve të OSBE-ODIHR, me konsensusin e të gjitha forcave politike”, u shpreh Kryemadhi.

“Sa i përket kalkulimeve të jeni të bindur që fuqia e opozitës është e jashtëzakonshme dhe nuk ka të bëjë me atë që ne theksojmë si strategji politike, as me përllogaritje matematikore. Fuqia e opozitës do të kalojë përmasën dhe do të jetë në 25 prill plebishitare”, tha Kryemadhi.

“Kemi kohë për të folur sa i përket listave të zgjedhësve. Partia Demokratike është në përfundimin e kandidatëve për 12 qarqet. Ndërkohë ne si LSI deri në fund të nëntorit jemi në një proces zgjedhor”, tha ajo.

E pyetur nëse do t’i bëjë thirrje presidentit Meta për të shpërndarë parlamentin nëse kalojnë në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas kthimit nga presidenti Meta, Kryemadhi theksoi se “kam një përgjegjësi për sa i përket djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale, ku angazhimi i LSI qëndroi në bllok në këtë vendim të opozitës së bashkuar”.

“Duke pasur parasysh që qoftë djegia e mandateve dhe qoftë bashkitë për të cilat ne nuk u përfshimë në zgjedhjet lokale, sepse kishte një dekret nga presidenti që spostonte datën e zgjedhjeve nga 30 qershori në 13 tetor, mund të them që çdo vendosje e presidentit në pozita që tregojnë që ne nuk jemi të aftë për t’u përballur me Edi Ramën, unë do të isha kundër. Nuk do t’ia kërkoj kurrë shpërndarjen e parlamentit presidentit të Republikës. Do t’i kërkoja respektimin e Kushtetutës, të cilën me aq sa shikoj është një rojtar i devotshëm dhe  në bindjen time ka pozicionin e tij politik dhe vendimet e tij politike më të mira që ka pasur në karrierën e tij. Mendoj që shpërndarja e parlamentit ndodh më 25 prill”, tha Kryemadhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.