Homazh/ Naim Frashëri, i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot figurën e Naim Frashërit, në 120-vjetorin e vdekjes, si “mbase i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo e zë me gojë!”.

“Sikur të shoh, i tmerrshmë Frashër, Tek po mban zi përgjithmonë,

Ti: më besniku trashëgonjës i dashuris’ së vendit t’onë», shkruan Lasgushi për të, poetin e poetëve, që 120 vjet si sot mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit, pas një jete të urtë e butë, pa salltanete e pa tjetërsend veç lotit të fjalës për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ai vë në dukje se “s’është as rastësi e as çudi, që një ndër faqet më të bukura e më të ndjera që ka lënë vesveliu i madh Faik bej Konica i përket Naimit, pas vdekjes natyrisht”, duke cituar:

“Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshmë që shkonin muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri. Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur!”.

“Si në të gjallë, si në të vdekur, Naimi, «Omir’i Shqipërisë» vepra e tij monumentale letrare, u ushqyen e vijojnë t’u ushqejnë shqiptarëve ndjesinë e njësisë kombëtare! Por jo vetëm. I detyrohemi atij që Sevasti Qiriazi e quante «magnet dashurie», bindjen për epërsinë e qytetërimit dhe qytetarisë mbi çdo tërheqje, rrëmbim apo arrogancë vetëkënaqësie kalimtare”, shprehet Rama.

“Zemërmadh e i paanë në dhuntinë e tij përnjimend hyjnore, ky i dërguar «nga fron’i lart i Perëndisë, si engjëll i Marisë, me frymë të shenjtëruarë», u bë njësoj at shpirtëror dhe gur themeli i bektashizmit shqiptar dhe një uratë e gjallë «Përpara Krishtitë», orakull i vërtetë për vëllazërimin tonë, për atë që ai vetë e quante «besën tonë të shenjtëruarë”, vijoi ai.

“Fatlum në mes të një vëllazërie që rrallë shekujt u falin kombeve, i verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar e vështrimkthjelltë kurdoherë për të mbrothësuar gjithë një komb, Naim beu, u be guri e gjoksi ku vunë kokën, u prehën, u burrëruan e nxunë, të gjithë ata qe iu mveshën veprës emancipuese rilindase.

«I varfër shkoja te Naim beu e i nginjur kthehesha; i dëshpëruar shkoja tek ai e i mbushur me shpresë e lija», thuhej rëndom prej atyre që kishin fatin të piqeshin me të. Ja vlen që sot, në këtë 120-vjetor të kalimit të tij në amshim, ta kujtojmë me mirënjohje birnore këtë At në atdhedashuri e qytetari. T’i lexojmë një copëz nga vepra madhështore, t’i kundrojmë një fotografi të atij vështrimi të dlirë e ndriçues, t’i falim një uratë, t’i ndezim një qiri. Kush të mundet, me një lule le t’ia zbukurojë vendprehjen.

Mos ta harrojmë Naim Frashër Shqipërinë!”, përfundon Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.