Aksesi në drejtësi gjatë pandemisë/ Gjonaj: Angazhim maksimal për të bërë më të mirën në këto kohë të vështira

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mori pjesë sot në aktivitetin online “Dialogu Global i Liderëve të Drejtësisë”, i cili u organizua nën kryesinë e Ministrit të Drejtësisë të Kanadasë.

Gjonaj dhe 22 ministra të Drejtësisë nga e gjithë bota, si dhe një sërë përfaqësuesish të institucioneve qendrore, ndanë praktikat më të mira për të siguruar aksesin në drejtësi gjatë pandemisë së COVID-19.

Ministrja Gjonaj theksoi se angazhimi i qytetarëve dhe besimi i tyre në sistemin e drejtësisë është thelbësor.

“Jam e bindur se Open Government Partnership (OGP) do të mbështesë një drejtësi më të mirë, që sistemi të ulë korrupsionin dhe të sigurohemi që të gjithë njerëzit të kenë qasje tek drejtësia. Është një nder i veçantë për mua personalisht, por edhe për Shqipërinë që përfaqësoj, që të jemi pjesë aktive e një partneriteti kaq të madh, i cili thekson angazhimin tonë maksimal për të bërë më të mirën në këto kohë të vështira për të gjithë botën”, tha Gjonaj.

Ajo theksoi se “është me shumë rëndësi për qeverinë shqiptare në tërësi dhe më konkretisht për Ministrinë e Drejtësisë, forcimi i funksioneve bazë të qeverisjes, përmes transparencës së plotë dhe llogaridhënies në ndërmarrjen e reformave të fuqizimit të shtetit”.

“Shqipëria është krenare kur konfirmon se reforma jonë unike e drejtësisë, si dhe lufta e saj kundër korrupsionit shkojnë krah për krah me angazhimet tona për të garantuar një qeveri të hapur dhe forcimin e përgjegjësisë në garantimin e drejtësisë”, tha Gjonaj.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.