Shpërndahen tableta dixhitale për nxënës të klasave kolektive në Lezhë, Rama: Rreziku i një mbyllje të dytë ekziston

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ “Sot jemi në Lezhë për të çuar përpara një nismë të qeverisë tonë, të Ministrisë së Arsimit në mbështetje të nxënësve, të cilat janë ende në klasa kolektive, për të shpërndarë tableta dixhitale, me qëllim që askush të mos ngelet mbrapa me mësime”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në promovimin e platformës mësimore online www.akademi.al dhe shpërndarjen e tabletave për nxënësit në klasa kolektive.

“Jemi në një shkollë të rindërtuar nga bashkia e Lezhës, një shkollë që ishte në një gjendje goxha të vështirë si shumë shkolla në Shqipëri dhe si shumë shkolla në Shqipëri tanimë është rindërtuar ndërkohë që përpjekja për të rindërtuar shkollat ekzistuese që ende kanë nevojë për ndërhyrje dhe për të rindërtuar shkollat që për fat të keq u rrënuan në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar vazhdon çdo ditë pa pushim”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “klasat kolektive janë ende një problem i madh, një problem i trashëguar nga e shkuara që ka ardhur duke u zbutur, por që vazhdon të jetë prezent sot e gjithë ditën, duke i pamundësuar fëmijëve që i frektuentojnë këto klasa që të kenë një trajtim të barabartë në procesin e mësimnxënies me fëmijët e tjerë, të cilat të kenë mundësinë të frekuentojnë klasat sipas moshës dhe pranë vendbanimit të tyre”.

Por, vijoi Rama, nga ana tjetër, siç e tregon dhe kjo nismë, çdo krizë me të cilën ne detyrohemi të përballemi është një mundësi, çdo pengesë është edhe një stimul, çdo mur që na del përpara nxit imagjinatën tonë dhe mobilizon qenien tonë për të bërë një sforco më shumë për të arritur ta kapërcejmë.

“Faktikisht nisma për dixhitalizimin e plotë të klasave kolektive dhe për tu dhënë mundësi fëmijëve që shkojnë në klasa kolektive që të kenë akses në mësim sipas moshës së tyre dhe këtë mësim ta marrin nga mësuesit më të mirë të Republikës së Shqipërisë është një nismë që kthen në mundësi pikërisht një krizë e cila i ka rrënjët larg në të shkuarën të cilën ne mund ta zgjidhim përfundimisht duke dixhitalizuar mësimin në të gjithë rrjetin e fëmijëve që frekuentojnë klasat kolektive dhe duke i kthyer shkollat, klasat, stacionet ku këta fëmijë mblidhen, në pika ku ata bëjnë ato që janë realisht aktivitete që bëhen bashkërisht si aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin fizik, artistik, shoqëror, por jo aktivitetin e mësimmarrjes së tyre në të njëjtën klasë, me të njëjtin mësues, ku në një bankë mësuesi shpjegon librin e klasës së dytë dhe në një bankë librin e klasës së shtatë”.

“Jemi të bindur se kjo është zgjidhja e duhur, por edhe mundësitë dhe partnerëve tanë që në këtë kohë të vështirë nxjerrin në pah edhe më mirë vlerën e tyre se në kohë të zakonshme, ta bëjmë këtë shpejt, shumë mirë, duke zgjidhur përgjithmonë një problem të cilin në kohë të zakonshme qeveri pas qeverish nuk e kanë zgjidhur sot dhe ne për thjesht e kemi zbutur, por jo zgjidhur”, – tha Rama.

“Me këtë nismë ne zgjidhim këtë problem dhe u ofrojmë nxënësve të klasave kolektive akses cilësor në mësim dhe me mësuesit më të mirë të Republikës së Shqipërisë. Janë një skuadër që janë zgjedhur që janë zgjedhur nga më të mirët për të realizuar këto programe, që do të vihen në shërbim të gjithë nxënësve të klasave kolektive dhe për të përballuar këtë fazë kaq delikate dhe kaq të ngatërruar të jetës sonë kur kemi përballe një armik të padukshëm, i cili funksionon si një fuqi e natyrës duke na dëmtuar dhe penguar të shohim të nesërmen me qartësi”, – theksoi Rama.

Në këtë krizë, shtoi Kryeministri, kjo që po ndodh me arsimin është e jashtëzakonshme, pikërisht për atë që sjell mbrapa, jo për ata që na jep sot.

“Sepse ky program i mësimdhënies dixhitale nuk do të rreshtë deri kur beteja apo lufta me armikun e padukshëm të ketë përfunduar, përkundrazi, do të vazhdojë të zhvillohet dhe të sofistikohet duke u bërë pjesë e pandashme e jetës arsimore për t’i dhënë mundësi jo vetëm nxënësve, por edhe mësuesve të adaptojnë mësimdhënien e tyre duke filluar nga shembulli i mësuesve më të mirë që punojë dhe i realizojnë këto orë mësimi dixhitale”, – tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama tha se “është momenti të bëhemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë rreziku po kalojmë. Rreziku që po kalojmë është që të na duhet të mbyllemi përsëri, një mbyllje përsëri do ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e parë në të gjitha aspektet për të gjitha kategoritë”.

“Ne mund ta shmangim duke mos shmangur atë që duhet të bëjmë në përditshmen tonë, duke mos shmangur bezdinë jo të vogël të vënies së maskës sapo dalim nga shtëpia, të mbajtjes së maskës kudo ku jemi jashtë shtëpisë, të ruajtjes së distancës, të mos shkuarjes në restorante e klube kur nuk është e nevojshme, vërtetë, të shmangies të grumbullimeve dhe të shëndetit të të tjerëve duke mos i prishur këto rregulla”, përfundoi Rama.

/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.