Rrethrrotullimi i Unazës së Re/ Po punohet ditë e natë që kjo vepër strategjike të përfundojë sa më shpejt

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Në rrethrrotullimin kryesor të Unazës së Re, po punohet ditë-natë, për të bërë të mundur që kjo vepër publike strategjike në hyrje të kryeqytetit të përfundojë sa më shpejt, për t’i dhënë Tiranës një “portë” dinjitoze të standardeve europiane dhe qytetarëve një aks lëvizjeje pa stres e shëmti si i derisotmi.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, inspektoi nga afër mbrëmjen e së hënës punimet që po kryhen në rrethrrotullimin e unazës së re, ku faza e parë dhe e dytë kanë përfunduar ndërsa po vijon puna për fazën e tretë.
“Kam zgjedhur që të vij në këtë orë, pasi na duhet t’i tregojmë të gjithë qytetarëve të Tiranës, dhe të gjithë Shqipërisë, pasi Tirana është kryeqyteti dhe aksesohet nga të gjithë që këtu punohet ditë dhe natë. Pra në këtë kantier puna nuk pushon për asnjë sekondë, pasi duhet thënë që të gjitha punimet kanë qenë nën tokë dhe ndoshta qytetarët shikojnë bllokimin por vazhdojnë të mendojnë se nuk po ecet dhe ecuria nuk është ajo që duhet. Kështu që unë kam vendosur sonte së bashku me ju ku është e rëndësishme edhe prezenca e drejtorit të policisë së Tiranës që t’i tregojmë të gjithë qytetarëve ecurinë e punëve që janë bërë në nyjen e Shqiponjës, si një nyje e rëndësishme me tre nivele që do të shpërndajë të gjithë trafikun që vjen nga Durrësi nga Unaza e re apo edhe trafikun që vjen nga qendra e qytetit”, – tha Balluku.
Balluku tha se “me pompat e fuqishme që ju keni do të tërheqim ujin që dhe në rastet kur kemi reshje nuk do të pengohet ecuria e punës. Ne duhet t’i garantojmë të gjithë drejtuesve të automjeteve, por edhe Policisë së Shtetit që përballet çdo ditë me këtë lloj vështirësie se 4 muaj do të zgjasë kjo situatë, por që do të jenë 4 muaj punë e furishme nga kompania që po punon, që ne të kemi rezultatet që duam të kemi dhe që ky projekt të arrijë drejt realizimit”.
Balluku inspektoi punimet që janë bërë në fazën e parë dhe në fazën e dytë.
Inxhinieri shpjegoi se punimet e fazës së dytë në tubin 3 vijojnë përgjatë ardhjes nga Pallati me Shigjeta, në fazën e katërt ky tub do të funksionojë për lehtësimin e trafikut. Praktikisht ata që vijnë nga Durrësi do të aksesojnë këtë tub për të shkuar tek Pallati me Shigjeta.

Inxhinieri i punimeve tha se “në këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës rrugore po punohet non stop 24 orë. Sot kemi një ecuri punimesh të kënaqshme. Faktikisht jemi në 40% të elementëve fizik të veprës dhe në 25 % të kohës së saj. Faktikisht është tejkaluar çdo afat i grafikut të punimeve. Pra jemi përpara afateve të punimeve”.

Sipas tij, “në fazën e parë dhe të dytë të menaxhimit të trafikut objekti filloj të ndërtojë boksin 4 i cili bën kalimin e të gjithë unazë veriore për të kaluar në drejtim të Durrësit. kemi filluar me të gjitha muret e rambës hyrëse të boksit nr 1 i cili do të kalojë për gjatë unazës së re të Tiranës. Ndërkohë kemi kryer punimet në tubin 3 që vjen nga Pallati me Shigjeta”.

“Faza e tretë e punimeve parashikon një punë intensive 4 mujore. Për shkak të vështirësive që ka ky objekt jemi detyruar të kemi dhe një plan të menaxhimit të trafikut që parashikon devijim të qarkullimit”- tha inxhinieri.

Për të përballuar punën në kushtet e vështirësive të motit, specialistët u shprehen se janë marrë masa me pompa të fuqishme që do të largojnë reshjet e shiut me qëllim vijimin e punimeve.

Ndërsa drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj u shpreh se “për shkak të punimeve që po kryhen për të lehtësuar trafikun do të bëjmë ndryshim të planit të dislokimit të forcave të policisë”.

“Do të shtojmë forcat e policisë dhe së bashku me policinë bashkiake që do të na vijë në ndihmë për korsinë e emergjencave, pasi do të mbajmë korsi dedikuar emergjencave, do të menaxhojmë qarkullimin e hyrjes për në Tiranë, ku do të bëhet një rrethrrotullim tek ura e Lanës dhe do të menaxhohen në tre korsi hyrja për në qytetin e Tiranës”, tha Jaupaj.
Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të gjejnë rrugën alternative për të hyrë në Tiranë, siç është p.sh., rruga e Elbasanit dhe rruga e Ndroqit.
Jaupaj tha se “detajet e menaxhimit të trafikut do të detajohen ditën e diel, kur do të vihet në eficiencë ky plan. Po marrim masa që rruga e Plepave dhe rruga e Elbasanit të funksionojnë për të menaxhuar trafikun që vjen nga Jugu për në Tiranë, në kushtet e  punimeve intensive që po kryhen në këto 4 muaj”. /r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.