Presidenti me gazetarët/ Braçe: Nuk guxoi kërkush ti kërkonte llogari për firmat, vulat dhe dekretet e tij

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha sot se, “Presidenti Ilir Meta i theu në mes gazetarët. Sot nuk guxoi kërkush ti kërkonte llogari për firmat, vulat dhe dekretet e tij”.

Në një reagim Braçe, i cili ka zgjedhur që t’i identifikojë vetëm me shkronjat e para të mbiemrave, M-B-K, Meta, Basha dhe Kokëdhima, tha se “M-B-K çfarë shpifësire! Shqipëria e këtyre! Po po, Shqipëria e këtyre! Tre udhëheqës në një ditë, kthim i rëndë pas! I pari, i theu në mes gazetarët. Sot nuk guxoi kërkush ti kërkonte llogari për firmat, vulat dhe dekretet e tij! Pas lancimit publik të një gazetari prej vërteti, familjes së tij, sot “omerta” kërciti në sallën më të pushtetshme të vendit. Kjo mund të jetë Shqipëria e tij; E njëjtë me atë të Mafia-s ku ai që thotë të vërtetën sulmohet, delegjitimohet, vritet”.

“I dyti, ju tha gazetarëve se ç’duhet të bëjnë, si duhet të bëjnë kronikat, madje madje si duhet ta kenë politikën editoriale, të lidhur me gënjeshtrat e tij, përhapjen e tyre. Është tamam ai që ka ngritur një qendër të shtrenjtë propagande ku bën filma, por kurrë lajme të vërteta. Kjo mund të jetë Shqipëria e tij. E njëjtë me atë të qëmotit ku zyra e propagandës sundon lajmin e lirë, e mbyt, e vret, e varros”, – theksoi Braçe.

Zv/kryeministri Braçe tha se “i  treti, vendosi të përjashtojë transmetuesin publik të lajmit etj, nga transmetimi i lajmeve mbi futbollin, golat e vërtetë apo të rremë, të paravendosur të një futbolli të dënuar si të korruptuar! Ky është edhe më i fortë se dy të parët; Ky ka pezulluar e po vdes futbollin! Ka bërë edhe më shumë. Ky dikton, ja arrin por edhe dështon, të vrasë të vërtetën në studiot e sportit! Kur dështon, bën këtë që bëri sot; Ndëshkon këdo që flet për futbollin e pistë e të korruptuar, i përzë! Kjo mund të jetë edhe Shqipëria e këtij. E kuptoni çfarë shpifësire është Shqipëria e këtyre?!”./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.