PD kallëzon në SPAK inceneratorin e Tiranës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Partia Demokratike kallëzoi sot në SPAK ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

“Partia Demokratike këtu e tre vite të shkuara ka bërë interpelancë për këtë çështje. E ka ngritur këtë çështje në një tjetër nivel duke dokumentuar me prova dhe fakte se çfarë ka ndodhur me aferën mafioze të plehrave në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Sot denoncimi erdhi pas faktit që në mënyrë të vazhdueshme i kemi kërkuar SPAK-ut që të marrë masat dhe të fillojë hetimet. Po kështu, i kemi kërkuar prokurorisë më përpara që ta bëjë këtë, dhe nuk ka ndodhur asgjë”, deklaroi sot ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku pas kallëzimit në SPAK.

“Në lidhje me brendinë, mund t’ju them dy elementë thelbësorë. Kjo është një çështje korruptive duke nisur që nga procedurat, duke vazhduar me kontratën e duke përfunduar me zbatimin e kontratës. Kostot për buxhetin e shtetit ashtu siç janë të llogaritura në denoncimin që ne çuam sot në SPAK janë mbi 430 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës, sepse ne sot këtu denoncuam inceneratorin e Tiranës”, tha ajo.

“Qeveria shqiptare në 30 vite ka patur një strategji për landfillet rajonale, të investuar nga partnerët ndërkombëtarë. Në këtë strategji për 12 landfille kishte punë, por kishte nevojë për akoma më shumë për ta përmirësuar dhe për ta menaxhuar akoma më mirë këtë proces”, tha Tabaku

Ndërsa Çlirim Gjata u shpreh se, “përse duhet të presë SPAK, Prokuroria apo cilido institucion ligjzbatues hetimor, ndjekës i veprimeve kriminale, pse duhet të presë patjetër një denoncim formal”.

“Ka tre vjet që një gjë e tillë po bërtet, po ulërin nëpër gjithë shoqërinë shqiptare, në media, gjithandej. Atëherë pse duhet ta presë denoncimin tonë?” – u shpreh Gjata. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.