Nafta falas për bujqësinë/ Buxheti i shtetit financon 1 miliard lekë për zerimin e taksave

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ 1 miliard lekë është fatura financiare nga buxheti i shtetit që  financon kompensimin e taksave që bëhen 0, për skemën e naftës falas për bujqësinë.

Për vitin e ardhshëm, buxheti i shtetit shton edhe 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë. Ndërsa vijon paralelisht edhe me investimet në sektorët e tjerë, në infrastrukturën kulluese e vaditëse, Skemën Kombëtare.

Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ndërsa tha se, “duhet përgëzuar qeveria për vendimin që ka marrë duke lehtësuar çmimin e naftës për bujqësinë nga ngarkesat fiskale të akcizës, taksës së qarkullimit dhe asaj të mjedisit”.

Në një intervistë televizive Çuçi theksoi se, “kjo iniciativë vjen në kushtet kur qeveria ka konsoliduar elementët për vijueshmërinë e një skeme të qëndrueshme dhe jo të hiqet dorë pas 1 apo 2 vitesh dhe të ketë një terren për monitorimin të plotë të skemës. Pasi ato rrezikojnë të kthehen në skema ku abuzohet”.

Ministri tha se “ne kemi rritur në 47 mijë numrin e fermerëve që kanë NIPT dhe presim që t’i bashkohen nismës për tu pajisur me NIPT edhe një herë kaq fermerë, që kanë potencial dhe bëjnë bujqësi aktive dhe kanë krijuar kushtet për tu rritur dhe për tu zhvilluar në sektorin e bujqësisë. Pjesa tjetër, i takon një niveli fermerësh shumë të vegjël”.

“NIPT-in e fermerit deri tani e kanë ata që kanë pasur sukses në aplikimin e bujqësisë dhe që kanë ardhur duke u rritur falë punës së tyre dhe angazhimit që kanë dhënë në këtë sektor”- tha Çuçi.

Ministri shpjegoi se në fazën e parë aplikojnë për naftë falas, fermerët që kanë NIPT.

“Presim t’i bashkohen edhe një herë po kaq fermerë të tjerë. Mund të jetë një numër diku tek 70 mijë fermerë që mund të pajisen me NIPT fermeri dhe është ajo kategori e rëndësishme fermerësh që përfaqësojnë 140-150 mijë hektarë tokë të punuar që është edhe pjesa me intensive dhe e shëndoshë e sektorit të bujqësisë”, – deklaroi Çuçi.

Ministri tha se, kemi llogaritur që fatura që do të shkojë për skemën e naftës falas për bujqësinë për kompensimin e taksave që bëhen 0 është rreth 1 miliard lekë.

Lidhur me skemën e naftës falas për fermerët, ministri deklaroi se, “kemi parashikuar në buxhetin që presim të miratojmë, rreth 1 miliard lekë dhe kemi krijuar një skemë që të shmangim sa më shumë abuzimet që në këto raste nuk është se mungojnë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.