Mosmbajtja e maskave në ambientet publike/ 2811 gjoba për qytetarët gjatë 4 ditëve

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Gjatë 4 ditëve janë vendosur 2811 gjoba për qytetarët të cilët  nuk kanë zbatuar vendimin e qeverisë për mbajtjen e maskave në ambiente publike si e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e virusit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili shprehet se, “mbajtja e maskës është sot gjëja më e vogël, por edhe më e madhe që secili mund të bëjë për të frenuar rrezikun e përbashkët që na vjen nga COVID-19”.
Lleshaj thekson se Policia është e detyruar të monitorojë zbatimin e këtij vendimi nga qytetarët duke këshilluar dhe vendosur gjoba për të pa bindurit.
“Policia është e detyruar nga ligji, por dhe shumë e motivuar për të kërkuar zbatimin e kërkesës për mbajtjen e maskës. Këtu përfshihet shembulli personal, këshillimi, por dhe gjoba për ata që sillen pa përgjegjësi dhe sfidojnë shoqërinë”, tha Lleshaj.
Gjithashtu strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave antiCovid.
Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Në një njoftim për shtyp Policia e Shtetit bën të ditur se ” Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 701 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila”.
“Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 564 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave antiCovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse, sepse parandalon infektimin me COVID-19.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë dhe të raportojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.