Meta: Ushtari i parë i Republikës për mbrojtjen e Kushtetutës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “është në një fushatë për respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit, pasi është jetike”.

“Jo vetëm për çeljen e negociatave, po për paqen dhe stabilitetin në vend, për legjitimitetin e institucioneve”, u shpreh Meta. “Kështu që të gjithë duhet të reflektojnë urgjentisht dhe të mos e kthejnë 25 prillin në një referendum, sepse përndryshe do ta kthejnë në një referendum. Do të jetë referendumi më i madh që do të bëjë kombi shqiptar që nga koha e Skënderbeut. Sepse Skënderbeu ka përcaktuar në mënyrën më të qartë orientimin europian të kombit tonë dhe këtë nuk e ndal dot më askush”, theksoi Presidenti.

Sipas tij, mbrojtja e Kushtetutës nuk është territori i askujt është detyra e parë e presidentit të Republikës, i cili s’është vetëm komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por është ushtari i parë i Republikës.

“Këtë duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha që të verifikohet ndershmëria e patriotizmi i çdo politikani por edhe e çdo qytetari. Le ta dinë të gjithë edhe armiqtë e Shqipërisë se do e marrin përgjigjen aty ku nuk u shkon mendja”, tha Presidenti Meta në një komunikim me mediet.

Po ashtu, Presidenti Meta deklaroi sot se, Akti Normativ që gjobit qytetarët për mosmbajtje të maskave është një maskaradë, sepse shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve”.

“Pas njohjes me përmbajtjen e Aktit Normativ që ka nisur efektet e tij që javën e kaluar jam thellësisht i shqetësuar. Çdo lloj mase që merret për arsye shëndetësore e certifikuar nga ekspertë është e mirëpritur për të garantuar parandalimin e përhapjes së COVID-19”, tha Meta.

Por, theksoi Meta, “përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtje të maskave është një maskaradë sepse shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve. Sepse mund t’i lërë pa drita në fund të muajit, në mes të dimrit, sepse i shantazhon deri në humbjen e lirisë, sepse e shndërron OSHEE-në, nga një kompani që ka për detyrë furnizimin me energji elektrike, në një instrument policor dhe ndoshta edhe elektoral, që ekzekuton në mënyrë të paligjshme gjobat”.

“Nuk është zgjidhje t’i lësh njerëzit pa drita. Nuk është zgjidhje që në fund të muajit, kur mos të kenë mundësi të paguajnë dot dy herë gjobat e përfshira në faturën e OSHEE-së, t’ua presësh dritat dhe t’i shantazhosh me burg qytetarët”, tha Meta.

“I bëj thirrje qeverisë të reflektojë menjëherë. I bëj thirrje Kuvendit ta shqyrtojë sa më parë këtë Akt Normativ dhe ta ndryshojë atë”, theksoi Meta.

/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.