Mediet/ AKUM për inceneratorët: S’ka patur procedura brenda ditës, investimet e privatit më të mëdha se pagesat e shtetit

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ “Procesi i inceneratorit të Fierit dhe Tiranës është bërë me tender të hapur, ndërsa të gjitha fazat ku u mbyllën dhe kontratat zgjatën 12 muaj për Fierin dhe 14 muaj për Tiranën, duke përfshirë këtu dhe shqyrtimin e ofertës së pa kërkuar”, raportojnë mediet duke iu referuar Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Sipas mediave, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ju është përgjigjur pyetjeve të ngritura tre ditë më parë në një nga studio televizive lidhur me 3 inceneratorët në vend, në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Sipas medieve, AKUM ka sqaruar se kontratat nuk janë miratuar brenda një dite, ndërsa e konsideron të pavërtetë akuzën se tenderi nuk ka qenë i hapur dhe ndërkombëtar.

“Procesi i inceneratorit të Fierit dhe Tiranës është bërë me tender të hapur, ndërsa të gjitha fazat ku u mbyllën dhe kontratat zgjatën 12 muaj për Fierin dhe 14 muaj për Tiranën, duke përfshirë këtu dhe shqyrtimin e ofertës së pa kërkuar. AKUM pranon se negocimi pa shpallje ka ndodhur vetëm në impiantin e Elbasanit”, thuhet në medie.

“Kontrata është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, procedure e bazuar tërësisht në ligj, ardhur si rezultat i shpalljes së gjendjes së emergjencës mjedisore nga Këshilli Bashkiak Elbasan dhe më pas nga Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve”, shpjegon AKUM, sipas medies.

Pyetjes se përse kompania italiane që ishte pjesë në fitimin e tenderit të Fierit, ia shiti aksionet e saj Klodian Zotos një ditë pas shpalljes fituese, me vetëm 200 mijë lekë, sipas medies, AKUM thotë se kompania italiane ia shiti aksionet shoqërisë së Ndërtim Montim Patosit, e cila ishte aksionere bashkë me kompaninë Integrated Energy Services. Vlera ishte simbolike sepse ndërtimi nuk kishte filluar ndërsa firma italiane merrte përsipër që do të kryente të njëjtat punë pa qenë aksioner, por nënkontraktor.

Media raportojnë se agjencia nuk pranon që investimet të jenë bërë me paratë e shtetit, duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur në “Opinion” nga gazetari Shkullaku, se kontratat PPP kanë në thelb të tyre investimin nga privati, sepse shteti nuk ka mundësitë financiare dhe pagesat e shtetit bëhen më vonë ndërsa qytetarët marrin shërbimin.

“Në rastin e impiantit të Elbasanit qeveria shqiptare kishte paguar vetëm 26.5% të vlerës totale të investimit në momentin e përfundimit tërësor të këtij investimi. Impianti ka filluar aktivitetin në vitin 2017 ndërkohë investimi do të vazhdojë të shlyhet deri në fund të vitit 2021. Në rastin e impiantit të Fierit, vonesat kanë ardhur jo për faj të koncensionarit, por për faj të protestave. Ndërkohë që koncesionari deri në dhjetor 2020 përmbyll të plotë investimin prej 28 milionë euro pa TVSH, qeveria shqiptare ka paguar vetëm 18 milionë euro pa TVSH. Në rastin e impiantit të Tiranës, investimi prej 128 milionë euro është tërësisht privat dhe duhet të kryhet në masën 100% brenda 6 viteve nga momenti i daljes së lejes së ndërtimit. Nga 53 milionë euro punime civile, janë realizuar deri sot mbi 30 milionë euro, ndërkohë është bërë porosia e impiantit të prodhimit të energjisë në vlerën 75 milionë euro, por që situacionohet vetëm në momentin kur prodhimi i tij ka përfunduar dhe kur është montuar”, thuhet në deklaratën e AKUM, referuar medies.

Pyetjes se përse duhej që në një territor afro 70 kilometra katrorë të ngrihen 3 inceneratorë, AKUM, bëhet e ditur nga medie, i përgjigjet me argumentin se “në momentin që të gjitha bashkitë e këtyre qarqeve dërgojnë mbetjet në këto impiante, atëherë ato punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk kanë mundësi të presin mbetjet nga zona të tjera apo aq më pak nga jashtë vendit siç pretendohet”.

Sipas AKUM-it, bëhet e ditur në medie, emri i personit që thuhet se është pronar i kompanive të inceneratorëve nuk rezulton aksioner në asnjë shoqëri sipas ekstraktit që ato kanë depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa mohon që Bashkimi Europian të jetë kundër incenerimit, duke sjellë shembuj të vendeve që përdorin këtë teknologji si më të avancuarat në trajtimin e mbetjeve.

Për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, sipas medies, AKUM sqaron se sot prodhon energji, por jo sipas kapaciteteve të instaluara, pasi bashkitë e tjera të qarkut Elbasan nuk kanë infrastrukturë për të transferuar mbetjet, çështje e cila do të zgjidhet falë një projekti me Bankën Gjermane KfW. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.