Kuko apel qytetarëve: Rezervoni sa më shpejt takimin dhe më pas paraqituni për aplikimin për kartën ID

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko gjatë inspektimit në Zyrën e Aplikimit tek Njësia 1 në Tiranë tha se “një pjesë e madhe e kartave të identitetit skadojnë, çka do të thotë që një pjesë shumë e madhe e qytetarëve, duke filluar nga 1 janari 2021 nuk do të kenë mundësi të marrin shërbimet të cilat tanimë janë të lidhura me kartat e identitetit”.

Kuko i bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë, duke rezervuar takimin e tyre sa më shpejt dhe më pas të bëjnë aplikimin për rinovimin e kartave të identitetit.

“Vonesat do të sjellin patjetër radhët, të cilat askush nga ne nuk i dëshiron, do të sjellë humbjen e kohës sigurisht, por do të sjellë edhe problematikën e mosmarrjes së shërbimeve”, – theksoi Kuko.
Zv/ministrja Kuko u shpreh se “kështu që duke ardhur te Njësia 1, duke parë procesin e vijimësisë së aplikimit, me kënaqësi konstatojmë se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë nisur rezervimin dhe aplikimin. Megjithatë ngelet një numër shumë i madh që nuk e ka nisur ende këtë procedurë”.

“Ju lutem rezervoni sa më shpejt takimin tuaj dhe më pas paraqituni për të bërë aplikimin në mënyrë që të evitojmë radhët dhe të evitojmë dhe problematikën e mosmarrjes së shërbimit, e përsëris edhe një herë, i cili sot në Republikën e Shqipërisë lidhet me kartën e identitetit”, – shtoi Kuko./k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.