GJERMANI – Soeder: Maska ​​të jetë e detyrueshme në mjediset e hapura publike

BERLIN, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri bavarez, Markus Soeder bëri thirje sot që vënia e maskave të bëhet e detyrueshme në mjediset e jashtme të mbipopulluara, në zonat e Gjermanisë ku numri i rasteve është veçanërisht i lartë.

“Kur ka më shumë se 35 infektime të reja për 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve, maskat duhet të bëhen të detyrueshme në mjediset e hapura publike”, këmbënguli ai.

“Maskat duhet të jenë të detyrueshme në shkolla dhe vende pune, ku nuk mund të ruhet distancimi shoqëror”, shtoi Soeder në një takim virtual të CSU-së.

Kjo masë do të vlente për shumë qytete dhe rrethe në të gjithë vendin dhe është kryesisht në përputhje me atë që ranë dakord 16 kryeministrat shtetërorë të Gjermanisë, në një takim me kancelaren Angela Merkel, javën e kaluar.

Politikanët gjermanë e kanë kundërshtuar idenë e një bllokimi të dytë, duke favorizuar përgjigjet e lokalizuara në vend./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.