BRUKSEL – KE: Mekanizëm sanksionimi për abuzimet ndaj të drejtave të njeriut

BRUKSEL, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Komisioni Europian dhe përfaqësuesi i Çeshtjeve të Jashtme të Bllokut, Josep Borrell, kanë nisur një mekanizëm të BE-së për të sanksionuar abuzimet e rënda ndaj të drejtave të njeriut jashtë vendit, tha sot zëvendëspresidenti i KE-së, Maros Sefcovic.

“Mekanizmi europian sipas stilit Magnitsky mund t’i japë Bashkimit Europian fuqi për të vendosur ngrirjen e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit për individët me një fleksibilitet më të madh”, sqaroi ai.

Akti “Magnitsky” është një mekanizëm amerikan për të ndëshkuar personat që zbulohet se kanë shkelur të drejtat e njeriut jashtë vendit.

Sipas propozimit të përbashkët, mjeti i ri mund të përdoret për të synuar ata që janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe abuzime në të gjithë botën, pa marrë parasysh se ku ndodhin ato ose kush është përgjegjës.

Propozimi duhet ende të miratohet nga vendet e BE-së./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.