20 mijë mësues dhe 100 mijë nxënës të regjistruar/ Kushi: Akademi.al i përgjigjet sfidave aktuale dhe të së ardhmes

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi nga Lezha ka promovuar platformën mësimore online https://akademi.al e cila i përgjigjet më së miri sfidave aktuale.

E shoqëruar edhe nga Kryeministri Rama, ministrja Kushi u shpreh se ” paralelisht me kanalin e dedikuar RTSH Shkolla, i cili do të vazhdojë edhe pas periudhës së pandemisë me programe aktive argëtuese, iu dha një hov i jashtëzakonshëm edhe zhvillimit të platformës mësimore online Akademi.al e cila falë mbështetjes së pakursyer të partnerit tonë të përhershëm UNICEF Albania, sot është kthyer në një platformë që i përket edhe të tashmes edhe të ardhmes. E nënvizoj të tashmes, sepse të gjitha orët mësimore që transmetohen në kanalin RTSH janë edhe në këtë platformë, e nëse ndodh që të ketë infektim me COVID-19 dhe klasat duhet të mbyllet për një kohë të caktuar, nxënësit duhet të vazhdojnë në kushte shtëpie dhe nuk e humbasin mësimin asnjë moment. Aktualisht Akademi.al është një platformë shumëdimensionale, shumë miqësore në përdorim, ku çdo nxënës, mësues dhe prind ka të drejtën e aksesit për të ndërvepruar në mënyrë cilësore me njëri-tjetrin. Platforma është falas ndërkohë që videot janë për të gjitha lëndët dhe përfshijnë çdo temë mësimore për moshat nga 3 deri në 18 vjeç.

Momentalisht, janë më shumë se 5 mijë video në platformën mësimore, ndërsa ka gati 50 video të tjera që xhirohen çdo ditë për të plotësuar nevojat në muajt e ardhshëm”.

“E veçanta e platformës është se ka krijuar mundësinë e mësimit virtual i cili mund të zhvillohet në kohë reale. Mësuesit dhe nxënësit të regjistrohen nëpërmjet kodeve të tyre unike dhe krijojnë menjëherë klasën virtuale, ku secili nxënës mund të dorëzojnë online madje edhe detyrat e shtëpisë. Aktualisht rreth 20 mijë mësues dhe 100 mijë nxënës janë regjistruar në platformë, ndërkohë që trajnimet mbi përdorimin e platformës kanë nisur prej kohësh dhe vazhdojnë çdo ditë pa ndërprerje”, u shpreh Kushi.

“Akademi.al është edhe platforma e së ardhmes, pasi ajo nuk mishëron vetëm përballimin e sfidave aktuale të pandemisë, por po kthehet në një aset të së ardhmes, ku teknologjitë e reja do të stimulojnë në mënyrë efikase atë që quhet mësim i kombinuar ku ndërthuret mësimi online me mësimin në klasë. Strategji e cila ka një sërë avantazhesh si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit, madje edhe për prindërit. Në thelb dixhitalizimi është e ardhmja, prandaj qeveria shqiptare e ka një nga politikat e saj kryesore në shumë sektorë, përfshirë arsimin. Dixhitalizimi në mënyrë të padiskutueshme ecën paralel me strategjitë dhe prioritetet e Ministrisë së Arsimit, në kuadër të politikës sonë bazë të gjithëpërfshirjes”, tha Kushi.

Më tej, ajo deklaroi se “më shumë dixhitalizim do të thotë më shumë gjithëpërfshirje. Sidomos sot ku pandemia ka mbërthyer të gjithë globin, dixhitalizimi bëhet akoma më i nevojshëm për nxënësit e klasave kolektive të cilët hasin vështirësi akoma më të mëdha se nxënësit në klasa normale. Pavarësisht se numri i tyre në vendin tonë po njeh reduktim të ndjeshëm vit pas viti, falë politikave tona arsimore, megjithatë klasat kolektive vazhdojnë të jenë ende një realitet”, theksoi ajo.

“Një arsye tjetër që jemi sot këtu është që të shpërndajmë tablet dixhitale për ju nxënës të dashur që vini nga klasat kolektive, me qëllim që në asnjë moment të mos mbeteni mbrapa me mësime. Në kuadër të dixhitalizimit, unë e them me shumë krenari që kemi patur mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë, donatorëve dhe bizneseve të mëdha me përgjegjësi sociale të zhvilluar sic është edhe rasti i Vodafone Albania që prej fillimit të pandemisë ka dhuruar plot 15 mijë tableta dixhitale për nxënës të klasave kolektive”, përfundoi Kushi.  z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.