TEL AVIV – Izraeli njofton fillimin zyrtar të marrëdhënieve diplomatike me Bahreinin

TEL AVIV, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Izraeli dhe Bahreini do të zyrtarizojnë sot në mbrëmje normalizimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike gjatë një ceremonie në Manama, njoftoi një zyrtar izraelit në kryeqytetin e arkipelagut.

“Një delegacion izraelit dhe përfaqësuesit e Mbretërisë së Bahreinit do të nënshkruajnë një komunikatë të përbashkët, që do të shënojë vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 15 shtator midis dy shteteve në Uashington”, tha zyrtari.

Sipas burimit, pasi dokumenti të nënshkruhet, Izraeli dhe Bahreini do të jenë në gjendje të hapin ambasadat e tyre në vendet përkatëse.

Pas marrëveshjes së paqes midis Egjiptit dhe Izraelit në 1979 dhe marrëveshjes me Jordaninë në 1994, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini u bënë përkatësisht vendi i tretë dhe i katërt arab, që vendosën të normalizojnë marrëdhëniet me shtetin hebre./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.