TEHERAN – Irani njofton fundin e embargos 10-vjeçare për armët

TEHERAN, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Irani njoftoi sot se ndalimi i shitjes së armëve dhe pajisjeve të rënda ushtarake Teheranit tashmë ka skaduar, sipas kushteve të marrëveshjes bërthamore iraniane ndërkombëtare dhe rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit.

“Nga sot, të gjitha kufizimet në transferimin e armëve, aktiviteteve të lidhura me të dhe shërbimeve financiare nga dhe në Republikën Islamike të Iranit, hiqen të gjitha automatikisht”, tha Ministria e Jashtme iraniane në një deklaratë.

“Republika Islamike e Iranit mund të marrë armët dhe pajisjet e nevojshme nga çdo burim pa asnjë kufizim ligjor dhe vetëm në bazë të nevojave të saj mbrojtëse”, vazhdon deklarata.

Sipas kushteve të Marrëveshjes Ndërkombëtare Bërthamore për Iranin, embargoja që ndalon shitjen e armëve dhe pajisjeve të rënda ushtarake në Iran skadon më 18 tetor./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.