Taksat/ Tabaku: Biznesi vogël, humbësi më i madh

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se humbësi më i madh sot është biznesi i vogël.

“Qeveria është treguar hileqare dhe e pabesë ndaj biznesit të vogël, i vendosi ato në skemën e TVSH dhe që prej qershorit 2015 ku Veliaj u bë kryetar bashkie taksat dhe tarifat vendore u rritën. Një biznes i vogël sot paguan çmimin e lartë të energjisë elektrike, i është shtuar një kosto për kontabilistin prej 600 mijë lekësh, po i shtohet kostoja e fiskalizimit prej 2000 eurosh dhe i janë rritur të gjitha taksat dhe tarifat vendore”, tha Tabaku.

Tabaku tha se “një biznes që sot ka xhiro deri në 2 milionë lekë sot paguan deri në 13.750 lekë taksa dhe tarifa vendore ndërkohë që bizneset me xhiro 2 milionë deri në 8 milionë lekë paguajnë deri në 49.500 lekë taksa dhe tarifa vendore në bashkinë Tiranë, pa folur për bizneset deri në 14 milionë lekë që paguajnë deri në 372 mijë lekë taksa dhe tarifa vendore përpos taksave të qeverisë qendrore”.

“Si në qendër të Tiranës dhe në periferi situata është e njëjtë. Biznese në kulm të dëshpërimit që nuk mbulojnë dot kostot mujore, që nuk paguajnë dot qeranë që përditë janë objekt sulmi të taksidarëve e që vetëm një kontakt kanë me shtetin atëherë kur i vendos gjoba”, tha ajo.

Tabaku tha se “biznesi vogël duhet të jetë shtylla e zhvillimit, duhet të mbështetet e jo të sulmohet”.

“PD do të vendosë biznesin e vogël në qendër të zhvillimit, do të vendosë një taksë të vetme unike për mbi 100 000 biznese prej 0,5%. Taksat e jashtëzakonshme, një vjedhje e pastër e bashkisë do t’i heqim për të çliruar biznesin dhe qytetarët”, tha ajo. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.