Shpejtësi tej normave të lejuara dhe përdorim alkooli/ Pezullohen 20 leje drejtimi, në pranga 4 drejtues mjetesh


TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Policia Rrugore vijoi monitorimin me radar të automjeteve që qarkulluan në aksin Sauk-Teg, në kryeqytet, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ndërkohë vijon monitorimi dhe në të gjitha rrugët e Tiranës për të parandaluar drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit.
20 leje drejtimi u pezulluan brenda disa orëve kontroll gjatë mbrëmjes së të shtunës dhe deri në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm. Nga këto 10 u pezulluan për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 10 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Po ashtu, 4 drejtues mjetesh u arrestuan, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 1 që drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
“Edhe pse kontrollet janë shtuar së tepërmi në këto akse me risk, edhe pse gjatë fundjavës ka akoma më shumë kontroll, përsëri ka shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë dhe me alkoolin në timon”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për disa orë monitorim me Radar, sipas Policisë, “janë evidentuar 10 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionin 138 km/h – 168 km/h në aksin Sauk – Teg, shpejtësi që vrasin jetën”.
Kontrollet kanë vijuar dhe vijojnë në rrugët e kryeqytetit duke përdorur dragerat dhe si rezultat i kontrolleve deri në këto momente janë evidentuar 7 drejtues mjetesh duke drejtuar mjetet nën ndikimin e alkoolit në masë që varionte nga 0.24 mg/l deri 0.37 mg/l.
Po ashtu u evidentuan dhe tre drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur në masë deri në 1.08 mg/l./m.m//a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.