[email protected]/ Aleanca qeveri-biznes i vogël, të mëdhenjtë do paguajnë një për një detyrimet

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryeministri Rama i është përgjigjur pyetjeve të ardhur nga qytetarë të ndryshëm përmes videove të ndryshme të dërguara në adresën “[email protected]

“Quhem Sidorela. Bëj pjesë tek personat AK. Kam përfunduar ciklin e studimeve bachelor dhe aktualisht jam në master shkencor viti i dytë, mësuesi gjuhë frënge. E di shumë mirë që momentalisht është shumë e vështirë që të kem një vend pune në profesionin tim, mësuesi. Por sic edhe ju vetë e keni thënë që masteri nuk është një kusht i domosdoshëm dhe ka vende që nuk e kërkojnë domosdoshmërisht masterin dhe pse jo të ishte një shpërblim mjaft i madh për sakrificën e deritanishme për mua, duke pasur një vend pune”.

Në përgjigje të saj, Kryeministri tha se, “për kërkesën tënde, lehtësisht mund të integrohesh në një program të praktikës profesionale për të cilën i kam kërkuar ministres së Arsimit të kontaktojë me ty drejtpërdrejtë dhe ne do ta bëjmë këtë dhe ndërkohë do të ndihmojmë që të marrësh atë që të takon nga ligji për personat me aftësi të veçanta i cili u jep institucioneve orientimin që 1 në çdo 25 persona në rast se ka kërkesë të jetë një person me aftësi të veçanta. Kështu që kurajo, besim dhe patjetër që je shumë e mirëpritur si të gjithë vajzat dhe djemtë që duan të kontribuojnë me meritën e tyre në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të këtij vendit”.

“Përshëndetje zoti kryeministër. Unë quhem Taulant Dovi. Kam një kamion që bëj transport dhe kam paguar taksat e 2019 , erdhi 2020 dhe këto i pagova por kamioni siç po e sheh po qëndron këtu në parking. Të lutem, po është mundësia që të na falni taksat”.

Në përgjigje të tij, Rama tha se “ sipas verifikimeve të bëra, ti kryen transport ndërkombëtar import-eksport mallrash kryesisht ushqimore dhe ndërkohë që ne kemi ndihmuar konkretisht me ndihmë financiare të gjithë ata që kanë mjete transporti pasagjerësh. Përderisa tregtia e mallrave, për më tepër atyre ushqimore nuk është ndaluar për asnjë sekondë, nuk ka pasur asnjë paketë për ju. Megjithatë, ti do të kontaktohesh drejtpërdrejt për të kuptuar më mirë si qëndron konkretisht problem yt. Por sa i përket kategorisë që përfaqëson kjo është pak a shumë përgjigja dhe faktikisht nga të gjitha të dhënat, xhiroja e zakonshme e të gjithë kësaj kategorie nuk ka pësuar asnjë luhatje për hir të së vërtetës”.

Një tjetër qytetar i ka shprehur mirënjohjen kryeministrin për heqjen e TVSH-së në bizneset e vogla ku shprehet se, “jam pronar i një subjekti bar-kafe. Tashmë heqja e TVSH-së na ka krijuar disa lehtësira në biznes që në fund të vitit të mund të kursejmë diçka për të paguar siguracionet ose për të rekrutuar më shumë staf”.

Në përgjigje të tij, Rama tha se “më vjen mirë nga fjalët e tua. Kurajo, besim në punë. Ne jemi pranë teje dhe të gjithë atyre që i drejtohen në radhë të parë mendjes dhe krahëve të tyre për t’ja dalë në rrugën e tyre dhe tani është koha për t’ju çliruar përfundimisht edhe nga inspektimet, inspektorët, taksidarët, kontrollorët. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm ju nuk do të keni askënd tjetër që t’ju kontrollojë përveç vetes në funksion të kontributit tuaj për shtetin dhe shoqërinë, ku në aleancë të fortë qeveria së bashku me biznesin e vogël, do të bëjmë çmos që t’ju garantojmë që të mëdhenjtë, duke mos pasur më mundësi që të përdorin për të fshehur të ardhurat e tyre të paguajnë një për një, detyrimet e tyre. Me dixhitalizimin e transaksioneve, gjithçka do të bëhet me e lehtë për të gjithë së bashku dhe për Shqipërinë që të gjithë duam për veten dhe fëmijët tanë”.

Një tjetër qytetare i ka drejtuar një tjetër pyetje kryeministrit Edi Rama për punësimin e ekslentëve në administratën publike , “jam Ketiona, kam përfunduar financën në Universitetin e Korçës, gjithashtu masterin profesional në të njëjtin profil më rezultate shumë të larta. Isha e interesuar nëse këtë vit kalendarik do të ketë shpallje për studentët ekselentë për t’u pranuar në administratën publike”.

Në përgjigje të pyetjes së Ketionës nga Korça, Rama tha se, “Departamenti i Administratës Publike po përgatit thirrjen për studentët ekselentë, që të mund të përfshihen sipas nevojave të administratës publike, drejtpërdrejtë, vetëm falë notave dhe meritës së tyre në administratën publike dhe për të kryer vitin e nevojshëm që të mund të konkurrojnë vitin e ardhshëm si të barabartë me të tjerët dhe të mos kenë mungesë experience në punë. Në nëntor do të çelet thirrja”.

Një tjetër qytetar i cili jeton në Gjermani e ka pyetur Kryeministrin Rama për njehsimin e patentave mes dy vendeve. “Jam Marsildi dhe prej disa muajsh jetoj dhe punoj në Gjermani si imazherist. Midis vendeve të tjera të Ballkanit midis Gjermanisë dhe Shqipërisë nuk ka asnjë marrëveshje për njehsimin e patentave. Dua të di nëse kjo marrëveshje është në procedim e sipër apo duhet të presim akoma”.

Në përgjigje të tij, Rama u shpreh se “ne kemi kaluar provimin e autoriteteve të inspektimit të standardeve të transportit përsa i përket strukturës sonë të drejtorisë dhe të degëve të saj të transportit ku mbase e ke ndjekur që është bërë një revolucion ndaj shërbimi ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe raporti me vlerësime jashtëzakonisht pozitive i palës gjermane ka shkuar në ministrinë federale e cila e ka shpërndarë për të gjitha shtetet që përbëjnë republikën federale sepse duhet që çdo njëri nga shtetet përbërëse ta aprovojë dhe patenta të njihet edhe republikën federale. Ky është një process që tashmë është në duart e autoriteteve gjermanen dhe sa na takon ne, besoj e kemi bërë detyrën tonë. Besojmë që më shpejt se vonë do të vijë edhe momenti i shumëpritur nga ti dhe shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, apo edhe nga studentë që të mos keni nevojë që të bëni ato pagesat e kripura për patentën por të përdorni patentën shqiptare”.

Një tjetër qytetare e ka falenderuar kryeministrin Rama për heqjen e tatimit mbi fitim për biznesin e vogël.

“Jam Nertila, kam një biznes të vogël dhe falenderoj shumë qeverinë për heqjen e taksës tatim mbi fitimin dhe shpresojmë për më mirë”.

Rama në përgjigje të qytetares u shpreh se, “kemi bërë shumë mirë detyrën në këtë rast dhe më vjen shumë mirë që ja kemi dalë të shkojmë përtej angazhimit tonë që ishte përgjysmimi i taksës. E kemi përgjysmuar taksën tuaj që në vitin 2014 por tanimë kemi zeruar jo vetëm taksën por edhe TVSH për çdo biznes të vogël deri në 100 milionë lekë ndërkohë që deri në 140 milionë zerimi i taksës mbetet në fuqi. Nuk është një premtim, është një ligj dhe ka kaluar në Kuvend në korrik dhe sa më takon deri në 2029, biznesi i vogël nuk duhet të taksohet. Ju duhet të jeni aleati besnik i qeverisë për të garantuar që të gjithë bizneset e mëdha paguajnë atë që ju takojnë dhe nuk përdorin më bizneset e vogla për të fshehur të ardhurat e tyre. Nga ana tjetër, beteja përmbyllëse është që t’ju çlirojmë tërësisht nga inspektorët dhe të gjithë ata që për fat të keq jo rrallë abuzojnë dhe kthehen për ju në një makth që për ju ndonjëherë është më i madh se vetë taksat”.

“Jam Iria, një tregtare bulmeti prej shumë vitesh punë, 36 vite në këtë profesion. Dëgjuam në television që ju nxorët uljen e taksave tona në zero, kjo është një ndihmë shumë e madhe sepse punësojmë më shumë njerëz. A ka mundësi të na e ulni ne grave këto vitet e punës, që të dalim më shpejt në pension?”.

“Për të arritur deri këtu na u desh një sforco jo e vogël ,na u deshën jo pak vite sepse janë jo pak vite vitet që kemi pasur në dispozicion në krahasim me aq shumë vite që kaluan pa i bërë gjërat siç duhen dhe duke hapur aq shumë plagë që vazhdojnë kërkojnë kurim. Jemi ende larg asaj dite, kështu që do të duhet të vazhdojmë ende përpjekjet me durim dhe besim. Shqipëria që duam është Shqipëria që ua kemi borxh fëmijëve tanë. Na takon ne, i takon gjeneratës sonë, gjeneratës e atyre që janë edhe pak më të moshuar që të bëjnë sakrificat e tyre sepse nëse sot mendojmë vetëm si të përmirësojmë ç’ka është për ne, atëherë këtë do të duhet t’ja privonim fëmijëve tanë nesër dhe këtë nuk mund ta bëjmë”, iu përgjigj Rama pyetjes së qytetares.

[email protected]” është një adresë në dispozicionin e secilit, e secilës për të çuar me video nga celulari, çdo pyetje që dëshiron mbi çdo çështje të punës a të familjes, komunitetit apo vendit, që ka lidhje me qeverinë.

z.tosku//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.