Përfaqësueset e PD-së takojnë gratë greviste në Ballsh

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Përfaqësueset e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi dhe Orjola Pampuri ishin në Ballsh ku panë nga afër gjendjen e grave greviste të Uzinës së Ballshit.

“Jemi gra të shkolluara. Nuk e kam menduar asnjëherë veten në grevë, por gjendja ekonomike na solli këtu. Jemi pa bukë. Kemi lënë familjen. Jemi në borxhe dhe kredi deri në fyt. Jemi detyruar të hymë në grevë për pagat e prapambetura, të cilat nuk i kemi marrë prej dy vjetësh”, tha një tjetër greviste.

“Ne duam që të na ikin lotët një herë e përgjithmonë. Përpara 40 vitesh kam hapur themelet e Uzinës, sot jam këtu për bukën e gojës. Kjo është e rëndë”, tha një tjetër grua greviste.

“Kam filluar punë 18 vjeçe dhe sot jam 53 vjeç, ajo punë atje na ka ushqyer, por që të mbetemi në këtë derexhe, nuk e dimë”, rrëfeu një tjetër greviste.

“Juve nuk jua mban pagën një biznes, por jua mban pagën qeveria dhe Edi Rama, sepse asnjë biznes nuk guxon të mbaje pagën e punëtorëve, nëse nuk ka mbështetjen e qeverisë”, u shpreh Dhurata Çupi, ish deputete e PD-së.

“Edi Rama nuk e shikon realitetin këtu sepse ai po bën shown e radhës. Nesër me Partinë Demokratike në pushtet do të keni mbështetjen tonë”, i garantoi gratë greviste ish-deputetja e PD-së Orjola Pampuri.

Vendimi për të hyrë në grevë i grave të Uzinës së Ballshit erdhi 18 ditë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të grevistëve burra. z.tosku /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.