Negociatat me BE-në udhërrëfyesi për bërë vendet tona shtete të besueshme demokratike/ Krimi i organizuar është ndërkombëtar, nuk ka krim shqiptar

TIRANË, 18 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona, pasi ato përbëjnë udhërrëfyesin dhe mjetet për të bërë vendet tona shtete të besueshme demokratike”.

Kështu u shpreh sot, Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë sot në forumin “Europa Park”, që u zhvillua në Mynih, Gjermani.

Kryeministri theksoi se “tashmë është marrë vendimi për negociatat, është vendimi për të çelur apo për të nisur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Europën që nuk e vëmë në pikëpyetje. Thuhet që Europa do të ‘martohet’ me ne, por si mund të martohesh kur nuk flet? Pra duam të martohemi me ju, por nuk jemi gati të flasim”, tha Rama.

Rama theksoi se “anëtarësimi është një tjetër histori, por ndërkohë që negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona, ato përbëjnë udhërrëfyesin dhe mjetet për të bërë vendet tona shtete të besueshme demokratike”.

“Anëtarësimi do të vijë si pasojë e kësaj, por negociata është reale për ne dhe të privosh vendet nga ky instrument është e pakuptimtë. T’u japësh vendeve këtë instrument është t’i ndihmosh ata”, tha Rama.

Duke folur për procesin e zgjerimit të BE-së, Rama tha se “e kuptoj që është mjaft e  vështirë të marrësh vendime të mëdha, ndërkohë që u vë veshin kritikëve.

“Nga Adenauer te De Gol nuk do të arrinin dot kurrë të bënin atë që bënë nëse do t’u vinin veshin kritikëve. Prej vitesh nga rrjetet sociale e nga gazetat nuk është besoj burimi ku mund të gjesh forcën për t’u projektuar në të ardhmen. Ne duam të jemi pjesë e BE-së por më duhet të jem shumë i drejtpërdrejt, nuk mund të imagjinoj një shtëpi që funksionon mirë ku nipërit e vegjël u vënë veto gjyshërve”, tha Rama.

Sipas tij, “diçka duhet të ndryshojë në strukturë”. “Dhe nëse do të më duhet t’i përgjigjem sinqerisht sot pyetjes që ‘një Europë që nuk funksionon me 27 vende a mund të funksionojë me 33 vende?’. Jo, sinqerisht nuk mundet. Pra, imagjinoni Parlamentin Europian me shqiptarët, me serbët, me boshnjakët, me maqedonasit. Po e vërtetë nuk mundet, është e pamundur, por kjo nuk nënkupton se nuk është e zgjidhshme nëse fuqitë e mëdha të Europës ulen dhe gjejnë mënyrën për ta përshtatur mekanizmin”, tha Rama.

Ai theksoi se kur bullgarët donin të hynin në BE krejt papritur gazetat po shkruanin se ata do përpiqeshin t’i vrisnin, dhe po ashtu për rumunët.

“Çdo vend që i qaset derës së Unionit duhet të përballet me këto gjëra. Krimi shqiptar? Çfarë nënkupton kjo? Nuk ka një krim shqiptar për arsye shumë të thjeshta. Krimi i organizuar është ndërkombëtar. Nuk kemi parë ndonjë kriminel të arrestuar në Shqipëri të lidhur me botën e jashtme, që nuk kishte të paktën 4 kode numrash në telefon, Gjermani, Holandë, Britani. Pra këta njerëz e kanë krijuar ‘Bashkimin e tyre Europian’. ‘Bashkimi Europian’ i krimit të organizuar është shumë më efikas, nuk ka veto, nuk ka programe buxheti, nuk ka piketa për t’u arritur, nuk ka negociata. Kush vrapon më shpejt fiton më shpejt dhe kaq”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri e cilësoi si diçka sureale faktin se shërbimet sekrete në BE janë kaq të shkëputura dhe që të dhënat për kriminalitetin nuk bashkëndahen” .

“Si e lufton terrorizim kur ti nuk e di se cili është ai njeriu që vjen nga Franca në Gjermani apo e kundërta? Është e pabesueshme ndërkohë që kriminelët nuk i kanë këto probleme. Ata mund të mos jenë kaq të aftë me gjuhët, por e kuptojnë njeri-tjetrin dhe ja dalin”, tha Rama.

Rama tha se “në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më keqe që shkon në mend dhe kjo është e mirë për politikën, por nuk është e vërtetë”.

“Ishte një gazetë me një titull të madh: një bandë tjetër shqiptare shpërbë. Dhe në fakt po të lexoje artikullin ishin arrestuar 9 veta prej të cilëve vetëm 2 ishin shqiptarë, 65-vjeçarë të cilët ruanin magazinën ku kultivohej kanabisi, por për politikën ishte shumë më mirë ta paraqiste si bandë shqiptare”, tha Rama. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.