“Deputeti që duam”/ Rama ftesë qytetarëve që kanë ambicien të garojnë në listat e PS-së në 25 prill 2021


TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste ftoi sot këdo që ambicien për ta provuar veten me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, të aplikojë në platformën “Deputeti që duam”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë ftesë për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten në të përpjetën e politikës, me mua dhe Partinë Socialiste, ju uroj të diel të mbarë”,tha Rama, ndërsa publikoi edhe platformën https://deputetiqeduam.ps.al.

Ndërsa i drejtohet qytetarëve përmes një videomesazhi, Kryeministri Rama u shpreh se “në këto zgjedhje ti do të kesh më shumë forcë se asnjëherë më parë sepse nuk do zgjedhësh vetëm partinë, programin dhe liderin që që dëshiron, por edhe deputetin që do”.

“Dhe jo vetëm kaq, por me Partinë Socialiste ti mund të jesh njeri prej anëtarëve të skuadrës që do të fitojë 25 prillin për të shkuar edhe më përpara për Shqipërinë që duam”, tha Rama.

Në 25 prill 2021 zgjedhësit shqiptarë gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore të çdo subjekti zgjedhor.

Përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në ligjin zgjedhor zgjedhësit në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të votojnë më si deri më tani vetëm për partinë politike që ata preferojnë, por vota e tyre do të jetë përcaktuese për deputetin që ata duan t’i përfaqësojë në Kuvendin e shqiptarëve./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.