BRITANI E MADHE – Gove: Londra e dëshiron një marrëveshje postBrexit

LONDËR, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike tha sot se ende dëshiron të përfundojë një marrëveshje tregtare postBrexit me BE-në, pavarësisht negociatave të bllokuara, ndërsa beson se kjo mbetet në dorë të europianëve.

“Unë ende shpresoj që të kemi një marrëveshje”, tha ministri i Shtetit, Michael Gove, për Sky News.

“Unë e dua një marrëveshje, dua ta arrij vërtet atë, por, për këtë, të dy palët duhet të bëjnë kompromise. Kjo nuk është ajo që po bën BE-ja për momentin”, shtoi ai.

Negociatat tregtare BE-BM u përshkallëzuan të enjten kur vendet anëtare kërkuan në Këshill koncesione nga Londra, ndërsa thanë se donin t’i vazhdonin bisedimet për të arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë para vitit të ardhshëm, kur rregullat europiane të ndalojnë së aplikuari në Britaninë e Madhe.

Por Londra refuzoi plotësisht, duke kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve mbi një ndryshim thelbësor të qasjes nga ana e europianëve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.