Ambasadorja Kim: Të rinjtë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim nxiti sot të rinjtë shqiptarë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri.

Ambasadorja Kim zhvilloi një bisedë me anëtarët shqiptarë të Rrjetit Rinor Europian të Demokracisë (EDYN) të USAID/Albania, mbi pjesëmarrjen qytetare, sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë kur bashkohen me forcën punëtore dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike.

“Ju jeni ata që sjellin ndryshimin. Kur mbroni të drejtat tuaja, udhëhiqni fushata, dilni vullnetarë në komunitetet tuaja dhe votoni në zgjedhjet tuaja, ju keni ndikim dhe jepni kontribut për një të ardhme ku shqiptarët kanë mundësinë të lulëzojnë”, tha ambasadorja Yuri Kim.

Presidentja e EDYN, Juela Hamati, drejtoi diskutimin gjatë të cilit Ambasadorja Kim theksoi vlerën e pjesëmarrjes rinore në Shtetet e Bashkuara dhe i nxiti këta të rinj shqiptarë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.