Të ardhurat nga TVSH në import llogariten 71.5 miliardë lekë/ Ndikim COVID-19 dhe ulja e çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare

 

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Të ardhurat nga TVSH në import për periudhën janar-shtator të këtij viti rezultojnë 71.5 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 10% më pak se një vit më parë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në raportin e publikuar mbi treguesit fiskale për periudhën bën të ditur se ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar.

“Rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej COVID-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Njëkohësisht, përjashtimi nga skema e TVSH-së e inputeve bujqësore uli TVSH-në në import me 1.4 miliardë lekë përgjatë këtij 9 mujori”, thuhet në raportin e Financave.

Sipas MFE, edhe ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15% në strukturën e TVSH-së në import, duke dhënë efekt negativ prej 1 miliardë lekësh.

Gjatë periudhës janar-shtator 2020, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë sheqeri, mielli dhe gruri, importi i dhjamrave shtazore, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.5 miliardë lekë.

Ndër produktet me efekt negative renditen energjia elektrike, karburantet, metalet bazë, automjetet e përdorura, etj, me një efekt -4.1 miliardë lekë./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.