Platforma “Punë të Mbarë”/ Arlinda Lisha u punësua tek Shërbimi i Provës në Krujë: Në këtë vend mund t’ia dalësh edhe pa qenë vajza e dikujt

TIRANË, 17 tetor/ATSH /-  Punësimi në administratë përmes aftësisë dhe meritës është një realitet që e kanë prekur 602 studentë ekselentë.

Arlinda Lisha, e punësuar tek Shërbimi i Provës në Krujës, thekson se në këtë vend mund t’ia dalësh me meritë dhe aftësi, pasi ajo vetë fitoi me forcat e veta, me mundin e rezultateve të studimeve të saj, vendin e punës si Specialiste e Shërbimit të Provës në Krujë, duke iu bashkuar atyre qindra të rinjve që sot rrezatojnë energjinë dhe vendosmërinë për ta ndërtuar me punë jetesën, duke i shërbyer me devotshmëri vendit të tyre.

Vetëm me një klik në platformën e punësimit të ekselentëve “Punë të Mbarë” http://punetembare.gov.al/ Arlinda, studente e degës Psikologji Sociologji arriti të integrohet në administratën shtetërore dhe të fitojë po me meritë, titullin e nëpunëses së shërbimit civil.

Si Arlinda, janë 602 studentë ekselentë që falë kësaj platforme, fryt i Paktit për ?Universitetin, janë bërë vlerë e shtuar për burimet njerëzore të administratës publike dhe 491 prej tyre kanë fituar përmes konkursit, pozicione në shërbimin civil.

“Ajo çfarë dua që të gjithë të rinjtë të kuptojnë është se në këtë vend mund t’ia dalësh pa patur nevojë që të jesh vajza, mbesa apo të përdorësh emrin e ndonjë të afërmi tënd, pasi me punë dhe sakrificë mund të arrihet çdo gjë. Unë personalisht jam rritur në një familje të thjeshtë të cilët më kanë edukuar me vlera dhe po me vlera, punë dhe rezultate arrita të jem këtu ku jam”, – tha Lisha.

“Kam përfunduar studimet bachelor në degën Psikologji Sociologji pranë fakultetit të Edukimit në Durrës. Po në Universitetin e Durrësit kam përfunduar dhe studimet Master Shkencor në degën Mësimdhënie, Psikologji Sociologji, dhe këtë vit kam përfunduar dhe masterin e dytë në degën psikologji shkollore dhe zhvillimore. Jam bërë pjesë e administratës publike që në mars 2019, përmes platformës “Puntëmbarë.gov.al”, dhe tanimë punoj në zyrën e Shërbimit të Provës në Krujë. Isha skeptike në fillim, por pavarësisht kësaj bëra aplikimin, sipas një procedurë që ishte e thjeshtë dhe i vetmi kriter ishte mesatarja. Në fillim firmosa një kontratë 1-vjeçare dhe më pas, kur u mbyll kontrata në mars, unë futem përsëri në konkurs, ku duhet të kaloja të gjitha fazat e rekrutimit, që i kalova me sukses për t’u bërë pjesë e shërbimit civil dhe për të vijuar procesin e punës pranë shërbimit të provës”,- tha Lisha.

“Do të inkurajoja të gjithë të rinjtë të shfrytëzonin këtë mundësi të shkëlqyer për studentë të shkëlqyer që të japin kontributin e tyre për një Shqipëri më të mirë. Unë kam që gjatë viteve të universitetit duke punuar fillimisht vullnetarisht në organizata të ndryshme dhe institucione shtetërore, më tej kam punuar edhe në privat si operatore në Agjenci Turizmi”,- tha ajo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.