“Përtej çdo shpifjeje”/ Kushi: Fusha e mallkuar e plehrave në Elbasan, sot park i gjelbëruar që i shton frymëmarrjen

 

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Qytetarët e Elbasanit e mbajnë mend shumë mirë “kancerin” e plehrave që deri para pak vitesh digjeshin në qiell të hapur shumë pranë qendrës së qytetit, duke helmuar gjakun dhe mushkëritë e tyre si ditën, ashtu edhe natën.

Kështu reagoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi sot ndërsa përcolli debatin mbi impantet e përpunimit të mbetjeve në një studio televizive.

Përtej çdo shpifjeje apo dizinformimi, është fakt i pamohueshëm që sot në Elbasan kemi një impiant të përpunimit të mbetjeve sipas standardeve më të mira bashkohore, në pararojë të transformimit teknologjik e në funksion të një transformimi mjedisor, duke prodhuar edhe energji elektrike nëpërmjet mbetjeve”, tha Kushi.

“E ndërkohë, ajo fushë e mallkuar e plehrave, zona më ndotëse në të gjithë Shqipërinë, deri dje një ëndërr e keqe, sot është një park i gjelbëruar që veçse ia shton frymëmarrjen qytetit të rilindur të Elbasanit. Qytetarët në mbarë vendin, sikurse edhe elbasanasit e mi, sot më shumë se kurrë dinë të vlerësojnë të vërtetën nga gënjeshtra, faktin nga shpifja dhe punëbërësit nga ata që duan ta çojnë mbrapa këtë vend të bekuar”, u shpreh ministrja Kushi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.