“Luli sharron me sharrë, por Sharra s’harron”/ Luli e kishte çmimin 8 euro më shtrenjtë për çdo ton plehrash

 

TIRANË, 17 tetor/ATSH-A. Fortuzi/-  Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me akuzat e këtij të fundit ndaj deklaratave të kryebashkiakut të Tiranës, sot nga Kombinati.

“Luli sharron me sharrë, por Sharra s’harron”, u shpreh Rama duke sjellë fjalën e kryebashkiakut Veliaj.

Nga Kombinati, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se në kohën e Lulzim Bashës, Sharra ishte një bombë ekologjike, kurse sot është transformuar në një fushë me pemë.

“Ajo që gjeta në Bashkinë e Tiranës është një propozim i shkruar nga Lul Basha, që i jep OK dhe e firmos më vonë, që plehrat të shkojnë të gjitha në Sharrë, tek ajo Sharra që përpara 5 vitesh e gjetëm mullar me plehra, një bombë ekologjike, një bombë politike, një bombë humane, bombë e të gjitha kuptimeve, ku vetëm digjej dhe ti nuk hapje dot ballkonin, as dritaren”, tha Veliaj.

“Propozimi i Lulit, para se të ikte, ishte: 37 euro/ton, ne e kemi 30% më pak, 29euro/ton. Sigurisht, për Lulin, që thotë “6 nga 4 biznese”, rrezik 29 i duket më shumë se 37, por për 99.99% të të tjerëve, 29 është me e vogël sesa 37. Pra, Luli e kishte çmimin 8 euro më shtrenjtë për çdo ton plehrash. Tirana prodhon 1 mijë ton në ditë, do të thotë që ky thoshte, 8 mijë euro duhet të paguajë taksapaguesi më shumë. Do të thotë që, në 365 ditë 3 milionë euro më shumë. Ky nuk qan hallin pse ne i kursejmë paratë popullit, ky qan hallin pse iu prish pazari, se ky thotë – Këto ishin për mua dhe për kunatin”, u shpreh Veliaj.

“Kompania që unë gjeta atje, me ata shokët e Megatek-ut, ishin ortakë me kunatin e Lulit dhe unë pyes veten: Ore ky SPAK-u, çfarë bën? Si mund të jetë kryetari i bashkisë me kunatin e vet dhe të jenë në çdo lloj biznesi, në çdo lloj biznesi? Jo vetëm kaq, jo vetëm që ishte 30% më lart dhe ne e ulëm, por ai thoshte – Që në fillim qyteti i Tiranës duhet të paguajë 34.6 milionë euro me investimet. Ne sot s’paguajmë fare. Ne paguajmë për ton, plehrat që mblidhen, i marrim, shkojnë peshohen dhe i themi – Na sillni faturën vetëm për plehrat që sjellim, jo të paguajmë ne investimin, paguajeni ju investimin me lekët që ju japim për plehrat. Dhe pyetja për një demokrat të fundit që mund të ketë ngelur në Kombinat është – O shoku, të përdori “mish për top” te Astiri, të torturoi 3 vjet, ku është Astiri sot?”, tha Veliaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.