GJERMANI – Ndihmë e veçantë për të mbijetuarit e Holokaustit të kërcënuar nga COVID-19

BERLIN, 17 tetor /ATSH-AFP/ – Gjermania do të zhbllokojë një fond special prej më shumë se gjysmë miliardë euro, të destinuara për të ndihmuar të mbijetuarit e Holokaustit, veçanërisht të kërcënuar nga koronavirusi i ri, në mbarë botën.

“Ministria gjermane e Financave arriti një marrëveshje në këtë kuadër me “Claims Conference”, një shoqatë e organizatave hebreje”, njoftoi ministria.

“Në kohë të pandemisë së COVID-19, Gjermania mban në mënyrë të veçantë përgjegjësinë historike ndaj personave të persekutuar nga regjimi nazist”, deklaroi një zëdhënës.

Sipas marrëveshjes, rreth 240 000 viktima të shtypjes naziste ende gjallë sot në të gjithë botën do të mund të marrin deri në 2 400 euro për dy vjet.

“E gjithë qeveria federale është e vetëdijshme se vuajtjet e mëdha të shkaktuara ndaj viktimave të mbijetuara të padrejtësisë naziste nuk mund të kompensohen me para ose përfitime të tjera”, thekson Ministria e Financave.

Dhoma e Ulët, Bundestag, duhet të japë miratimin e saj për këtë iniciativë.

Të mbijetuarit e kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes nën regjimin Nacional Socialist, sot në pjesën më të madhe mbi moshën 80 vjeç, shpesh janë veçanërisht të kërcënuar nga koronavirusi i ri, jo vetëm për shkak të moshës së tyre por gjithashtu se qëndrimi i tyre në kampe u ka shkatuar atyre probleme të pariparueshme shëndetësore.

“Pandemia aktuale ka prekur veçanërisht ato”, shpjegoi Ministria e Financave.

Si rezultat, mbështetja për kujdesin për të mbijetuarit në shtëpi dhe për shërbimet e tjera sociale është rritur gjithashtu.

Në këtë program mbështetje në këtë kohë krize shëndetësore, qeveria federale gjermane synon të paguajë 554 milionë euro vitin e ardhshëm për këtë fond, ose 30 milionë më shumë sesa ishte planifikuar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.