“Gënjeshtra e ka hundën e gjatë po këmbët e shkurtra”, Rama demaskon mashtrimin e Bashës: Kontrata e Lulit për përpunimin e mbetjeve, 30 % më e shtrenjtë

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ “Gënjeshtra e ka hundën e gjatë po këmbët e shkurtra”, kështu shprehet Kryeministri Rama teksa demaskon me video mashtrimin e kreut të opozitës Lulzim Basha në një emision televiziv, i cili kishte deklaruar se taksapaguesit e Tiranës nuk do paguanin asnjë qindarkë më shumë për përpunimin e mbetjeve, me projektin që Lulzim Basha propozonte në vitin 2013.

Në fakt rezulton krejt e kundërta nga sa Basha deklaroi në Opinion, sepse në 20 Gusht të vitit 2013, Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë Tiranë, miraton me firmën dhe vulën e tij, studimin e fizibilitetit për projektin koncensionar “për shërbimin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe pastrimit të qytetit të Tiranës”

Konkretisht, bëhej fjalë për një kontratë të majme 20 vjeçare, sipas së cilës çmimi për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve ishte 37 euro për ton, thënë ndryshe 8 euro/ ton më shumë se sa menaxhohet tani, kur kryeqyteti pastrohet 3 herë në ditë.

Çmimi i miratuar nga Basha, të cilin ai vetë e mohoi në emisionin “Opinion”, faktohet pikërisht. në studimin e fizibilitetit të miratuar me firmën dhe vulën e Bashës.

“Fizibiliteti i objektit vlerëson se koncesioni për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe pastrimin e qytetit të Tiranës, nisur edhe nga eksperiencat ndërkombëtare të projekteve të ngjashme, do të jepet për një periudhë mesatare 20-vjeçare, me një investim kapital total në afro 34.6 milionë euro dhe një kosto operacionale në 37 euro/ton”, thuhet në studimin e fizibilitetit të Bashkisë së drejtuar nga Basha në atë kohë.

Siç është fare e qartë, Lulzim Basha që sot akuzon qeverinë shqiptare për shpërdorim të parave të taksapaguesve shqiptarë, është po i njëjti njeri që e kishte mbyllur kontratën me 37 euro/ ton, ose 30% më shtrenjtë se sa me projektin aktual.

Në Shqipëri, trajtimi i mbetjeve ka një kosto financiare 29 euro për një ton. Në Spanjë shteti paguan 47.1 euro për ton, në Poloni 46 euro për ton, në Francë 152 euro/ton, në Austri 87 euro/ton, në Greqi 60 euro/ ton, Kroaci 49.9 euro për ton, Irlandë 75 euro për ton, Bullgari 50 euro për ton, Danimarkë 63.3 euro për ton. Në Shqipëri vetëm 29 euro për ton, pra shumë më pak se në këto vende./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.