FOTOGALERI-VIDEO/ Rindërtimi i shkollës “Hasan Koçi” në Durrës, me kushte moderne për rreth 1 mijë nxënës

TIRANË, 17 tetor/ATSH-A. Fortuzi/-  Rreth 1 000 nxënës të shkollës 9 vjeçare në Shkozet, Bashkia Durrës shumë shpejt do të kenë në dispozicion shkollën e rindërtuar me ambiente të reja, me kushte dhe standarde europiane.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër punimet që po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në objektin e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar dhe që prej disa muajsh i është nënshtruar rindërtimit të plotë, për t’u vënën në dispozicion të nxënësve dhe komunitetit brenda datës 26 nëntor 2020.

Shkolla “Hasan Koçi” e pozicionuar në zonën e Shkozet u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga lëkundjet sizmike të nëntorit të shkuar, duke detyruar qeverinë ta rrezoi godinën e vjetër për t’i hapur udhë ndërtimit të ri modern, me të gjitha kushtet bashkëkohore. Në kantierin e ndërtimit ishin dhjetra punëtor të cilët ishin angazhuar punimet intensive për të realizuar projektin brenda afateve të përcaktuara.

Qytetarët vlerësojnë ecurinë e punimeve, ndërsa nxënësit mezi presin të hyjnë në ambientet e reja, pasi aktualisht janë të detyruar të shkojnë në një shkollë tjetër.

“Kjo është gjëja më e bukur që po ndodh në lagjen 14 sepse ka mbi 30 vite që shkolla ka qenë shkollë e vjetër. Është gjëja më e mirë që kjo qeveri po bënë në këtë moment. Është kënaqësi e madhe për ne banorët e njësisë 14”,- u shpreh një qytetar për ATSH.

“Po shumë e mirë është. Të bëhet sa më shpejt, që të shkojnë fëmijët në shkollë”,- tha një e moshuar.

“Presim kushte më të mira nga shkolla sepse shkolla e parë kishte shumë vite që ishte bërë dhe nuk është se ishte e bukur”,- tha një nxënëse tjetër.

“Shumë e mirë është ta gëzojnë të rinjtë. Lajm i mirë është, sa më shumë shkolla të bëhen aq më mirë është. Një shkollë e mrekullueshme po bëhet. Kurrë nuk ka qenë kaq e mirë kjo shkollë dhe punimet po ecin shumë shpejt”, shprehet qytetarët për ATSH.

Inxhinieri i Zbatimit, Ylli Ago, tha për ATSH se shkolla e re do të jetë me të gjitha kushtet bashkëkohore. “Shkolla po ndërtohet e re për shkak të tërmetit. Është një objekt prej tri katesh. Këtu veç ambienteve, klasave, laboratorëve, kemi dhe palestrën dhe ambientet e tjera sportive”.

“Përfshihet dhe gjelbërimi dhe sistemi i të gjitha ambienteve për rreth saj. Këtu janë të parashikuara dhe shkallët e emergjencës. Ashensori që do jetë në pjesën e hyrjes. Këtu do ketë dhe një holl të madh për t’u futur të gjithë nxënësit dhe një zonë ku mund të qëndrojnë. Shkolla pra, do të jetë me kushte bashkëkohore”,- tha Ago për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.