E vërteta e debatit “haluçinant” për inceneratorët/ Këta njerëz që gënjejnë, shpifin, fabrikojnë, shajnë e sajojnë e kanë me Shqipërinë që e duan plaçkë


TIRANË, 17 tetor/ATSH /-  Kryeministri Edi Rama publikoi sot një dokumentar për inceneratorin e Elbasanit, të prodhuar nga televizioni “Klan” me firmën e drejtorit të atëhershëm të tij, Armand Shkullaku ku sqarohet me detaje se inceneratori funksionon normalisht prej vitit 2017.

“Parmbrëmë tek Fevziu Armand Shkullaku ishte në krye të luftës së panelit të armatosur me gjysmë të vërteta (që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha), për t’i bërë jehonë sulmit sharje shpifës të Lulëzimit mbi impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan e Fier ose siç i quan Luli, me atë fodullëkun përbuzës të gjumashit kur bën sikur s’ka gjumë, “inceneratorët””,- sqaron Rama.

“Analisti arriti të mohonte sy për sy edhe fjalët e veta edhe vetë provën materiale, e cila rrëzoi në sy të të gjithëve gënjeshtrën ulëritëse se në impiantin e Elbasanit nuk është prodhuar kurrë energji! Por e vërteta e plotë lidhur me këtë episod, ku analisti u vu këmbëngulësisht në shërbim të Lulit, është se Shkullaku jo vetëm nuk gënjeu nga padija, po ai vetë, në cilësinë e drejtuesit të prodhimit të TV KLAN, ka bërë edhe një goxha film për inceneratorin dhe për prodhimin e energjisë nga plehrat në Elbasan disa vite më parë”,- u shpreh kryeministri Rama.

“Nuk e di nëse filmi në fjalë është bërë dhe shfaqur kundrejt pagesës apo ka qenë thjesht entuziazmi për impaktin e madh pozitiv mbi mjedisin të inceneratorit të Elbasanit, por materiali të cilin mund ta gjeni të plotë në youtube. Duket se i ka pëlqyer aq shumë drejtuesit të atëhershëm të prodhimeve sa që e ka shfaqur edhe në ABC News edhe në TV KLAN”, shprehet Rama

Duke sjellë pjesë nga debati në “Opinion” dy ditë më parë, kryeministri Rama fton publikun “të mësojë ca më shumë se ç’i panë sytë e ç’i dëgjuan veshët tek Fevziu gjatë atij debati haluçinant”.

“Dy ditë më parë tek Blendi Fevziu, Armand Shkullaku këmbënguli heroikisht se inceneratori i Elbasanit nuk ekziston dhe nuk ka prodhuar asnjëherë, asnjë orë energji elektrike nga mbetjet. Dhe përpara provës së sahatit të prodhimit të energjisë qysh prej vitit 2017 në impiantin modern të Elbasanit, analisti nuk ndryshoi opinion, përkundrazi. Ai jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë për dezinformimin e vazhdueshëm të publikut lidhur me impiantin e Elbasanit, sikundër premtoi fillimisht, por vazhdoi propagandën mohuese sy për sy”,- theksoi Rama.

“Armand Shkullaku jo vetëm e ka ditur prej kohësh që në Elbasan prodhohet energji, por ai ka porositur dhe më pas ka transmetuar si drejtor në televizionin klan, një dokumentar të gjatë dhe të bukur për këtë ndërmarrje moderne që ka shëruar përfundimisht kancerin e plehrave në Elbasan dhe që prodhon energji nga plehrat qysh nga viti 2017”,- tha Rama ndërsa publikoi dhe një fragment nga kronika e përgatitur nga televizioni me drejtor Shkullakun.

“Lufta për të mos lejuar që e vërteta të përfundojë në kazanët e plehrave të përditshme të tregut politik e mediat dhe helmi i gënjeshtrave që përhapet prej tyre pa pushim nga të katër anët të mos verbojë, shurdhojë, dëshpërojë, njerëzit e zakonshëm, është një luftë e egër, e ulët, mizerabël. Por këtë luftë nuk e zgjedhim dot, thjesht do ta bëjmë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, si prindër dhe për prindër. Dhe mos kini asnjë iluzion, këta njerëz që gënjejnë, shpifin, fabrikojnë, shajnë e sajojnë, si të mos ishin prindër, si të mos kishin prindër, që nuk skuqen, nuk zverdhen, veç nxihen dhe nxijnë, duke ta bërë të bardhën të zezë, sy për sy, nuk e kanë me mua, e kanë me Shqipërinë që e duan plaçkë dhe me ju të gjithë, që ju duan mish për top, unë thjesht jam pengesa dhe makthi i tyre”,- theksoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.