Certifikohen 12 efektivë të forcave speciale për dhënien e ndihmës së parë

TIRANË, 17 tetor/ATSH-A. Fortuzi/- Certifikohen 12 efektivë të forcave speciale të Policisë së Shtetit, për dhënien e ndihmës së parë.

Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili theksoi se trajnimi u zhvillua nga qendra Emergency Response Albania (ERA), e cila operon prej disa vitesh në Shqipëri

“Së bashku me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf dhe drejtues të lartë të Policisë, ndoqëm nga afër stërvitjen certifikuese, në fund të një jave trajnimi në dhënien e ndihmës së parë, për 12 efektivë të forcave RENEA dhe FNSH”,- bëri të ditur Lleshaj.

Skuadrat u përballën me 2 raste të simuluara, gjatë transportimit të një vlere parash dhe sulmi me armë brenda një kompanie private, duke demonstruar përgatitjen teorike dhe praktike në përballimin e këtyre situatave. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.