Basha: Inceneratorët, aferë e pastër kriminale

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, gjatë një komunikimi me gazetarët deklaroi se “1 në 3 shqiptarë nuk siguron dot mjaftueshëm ushqim për të jetuar”, ndërkohë që sa i takon situatës së pandemisë Covid-19 tha se numri i rasteve është shtuar dhe i testimeve ka rënë.

Ai tha se “situata është rënduar tani që e dimë që qindra kryefamiljarë kanë humbur vendin e punës. Bizneset në prag falimentimi. S’do lodhem së përsërituri që shteti shqiptar të kryejë detyrimin ndaj taksapaguesve dhe të vërë në lëvizje fondet”.

Gjithashtu, Basha u ndal sërish te akuzat për inceneratorët. “Inceneratorët janë aferë e pastër kriminale. Pyetja është se ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve?! Ku janë?!”, tha ai duke shtuar se “çdo kontratë e inceneratorëve e lidhur në kushtet e korrupsionit është e pavlefshme”.

“Është e qartë se përpara kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë”, deklaroi Basha.

Lidhur me impiantin e përpunimit të mbetjeve në Sharrë, Basha tha se “të hënën dorëzohet padia tjetër sa i përket inceneratorëve. Ky është studim i BB dhe Bashkisë Tiranë që bënte  të mundur që kontenierët të futeshin në tokë brenda një viti dhe trajtimi në Sharrë të bëhej për 12 euro nga 29 euro që bëhen tani”.

Basha tha se “këto fakte do merren nga hetimet. Çfarë çmimesh kishte përgatitur BB dhe me çfarë çmimesh po i bëjnë këta. skanë për të shpëtuar me gënjeshtra. Shumë shpejt do përballet në prokurori dhe në gjykatë me fakte të patjetërsueshme. Ky studim që u bllokua nga Rama dhe Veliaj po të vihej në punë qytetarët do kishin një shërbim tjetër”.

Më tej, ai tha se “shumica e bizneseve janë në prag të falimentimit ndaj nevoja për ndihmë nga shtetit është e menjëhershme. Ndërsa asnjë masë nuk është marrë për të pajisur mësuesit, stafin apo dezinfektimin e ambienteve”.

“Buxheti i shëndetësisë në Shqipëri është sa gjysma e buxhetit të Maqedonisë së Veriut. Bonusi mujor 1000 euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët nuk po jepet. Çdo ditë që kalon e rëndon më shumë krizën. Numri i raportimeve ishte thuajse gjysma kur prezantuam këtë plan. Kurrë s’kam dalë para jush për të bërë Kasandrën, por mos marrja e masave tregon qartë se shkaktari, përgjegjësi kryesor, nuk është më pandemia, po keqqeverisja që po rrezikon ditë për ditë jetën e shqiptarëve “, tha Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.