Tetori Rozë/ 2017 ekzaminime të kryera deri më tani, kryeson qyteti i Patosit me 125 mamografi

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Pavarësisht situatës së vështirë së krijuar nga epidemia e shkaktuar si pasojë e COVID-19, në të gjithë vendin vijojnë të kryhen diagnostikime falas për kancerin e gjirit falë mamografive të lëvizshme.

Muaji tetor njihet ndryshe edhe si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit ndaj edhe pse në kushtet e pandemisë, me masa antiCovid po vijohet me fushatën e ndërgjegjësimit për kontrollin e gjirit falas pranë vendbanimit.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, në total pra deri më tani janë kryer 2017 ekzaminime. Nga të dhënat zyrtare, ekspertët e ISHP-së thonë se qyteti i Patosit mban shifrën më të lartë të ekzaminimeve, me 125 mamografi të kryera. Ky qytet ndiqet nga Përmeti, Roskoveci, Pogradeci dhe Fieri. Ndërsa qyteti me shifrën më të ulët të ekzaminimeve të kryera deri tani është Delvina me 22 mamografi të kryera, ndjekur nga Vlora, Lushnja dhe Përrenjasi.

Përgjatë muajit tetor në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet falas me orar të zgjatur nga dita e hënë në të premte, ora 8:00-18:00 dhe të shtunën, nga ora 9:00-14:00.

Sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik, qëndrimi i radhës i mamografive të lëvizshme është në Lushnjë dhe Bulqizë, nga data 19 deri në 23 tetor si dhe Kuçova dhe Miloti nga data 26 deri në 30 tetor ku gratë e këtyre zonave do të kryejnë ekzaminimet në kohë dhe afër vendbanimit, por duke respektuar rregullat e reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Me qëllim evitimin e grumbullimeve të personave që janë planifikuar për t’u ekzaminuar do të përcaktohen orare për paraqitjen e pacientëve të cilët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse.

Shërbimi i mamografisë ofrohet po ashtu në spitalet në: Dibër, Lezhë, Elbasan, Durrës, Berat, Korçë, Gjirokastër, Kukës, Shkodër, materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, QSUT, Poliklinika Qendrore Tiranë. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.