“PD ka program rrënimin”/ Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ “Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij, Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave, Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora e me radhë nuk do të kthehen tek malet e plehrave të Saliut e të partisë që ka program rrënimin e rrëmujën në çdo fushë të jetës shqiptare”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në vijim të debatit të krijuar lidhur me inceneratorët.

Rama tha se “sipas Lulëzimit nuk duhen paguar plehrat që shkojnë në Sharrë po duhen bërë mal me re helmi mbi Kombinat”.

Rama tha se “ai vazhdon të ngatërrojë investimin privat me pagesën 29 € për ton nga shteti, kur në Europë shtetet paguajnë deri 150 €/ton për të njëjtën gjë! Çfarë mjerimi ky debat absurd”.

“Merren me nënën time të ndjerë dhe shajnë si të dehur, e kujtojnë se do gënjejnë shqiptarët duke ua bërë të bardhën të zezë me balonat tabake e tauke që i nxjerrin nëpër dyert e fushave sanitare sa në Sharrë e sa në Fier, për të recituar vjershat e mjerimit që në fakt e mishërojnë”, tha Kryeministri.

Kryetari i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit Rama duke thënë se, vendi është i mbytur nga plehrat dhe se duhet të tregojë se ku i ka çuar 70 milionë euro.

“Lëre viktimizimin për të fshehur vjedhjen. Plehrat e tua janë në çdo cep të Shqipërisë dhe 70 mln euro kanë avulluar pa bërë asgjë. Trego ku i ke çuar lekët. Retorika boshe nuk të shpëton dot këtë herë. Atë që nuk e thua dot sot, do ta thuash nesër në bankën e të akuzuarve”, ka theksuar Basha.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.