Ndihmës Sekretarja Royce ndalet në furrën e bukës “George Bush” në Fushë Krujë

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës Marie Royce gjatë vizitës së saj në Shqipëri ndaloi në furrën e bukës “George Bush” në Fushë Krujë, e cila u bë e njohur pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush ndali aty gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 10 qershor 2007.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës Marie Royce mbërriti në Shqipëri për një vizitë 3 ditore të përqendruar në bashkëpunimin dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e arsimit dhe kulturës.

Royce u takua me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama, me të cilët bisedoi mbi programet e shkëmbimit, përfshirë edhe rritjen e financimit për programin Fulbright.

“Arsimi dhe kultura krijojnë mundësi shkëmbimi, çojnë në përparim të mëtejshëm dhe krijojnë një lidhje të fortë midis dy vendeve tona”, tha Ndihmës Sekretarja Royce gjatë takimeve të saj.

Ndihmës Sekretarja Royce u takua edhe me ministren e Kulturës Elva Margariti, me të cilën bisedoi mbi programet e kulturës së Departamentit të Shtetit në Shqipëri.

“Historia dhe kultura janë në zemër të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, i tha Ndihmës Sekretarja Royce ministres Margariti. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.