1050 qytetarë përfituan ndihmë ligjore falas në 6 muaj

TIRANË, 16 tetor/ATSH-A. Fortuzi/ Shërbimi juridik falas do të shtrihet në të gjithë territorin duke qenë pranë qytetarëve që kanë vështirësi financiare dhe i duhet të përballen me problematika ligjore të ndryshme, civile, penale…etj. Shërbimi juridik falas online gjatë kohës pandemisë u erdhi në ndihmë 1050 qytetarëve.

Kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë interpelancës së zhvilluar sot me qytetarët e grupeve të interesit për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, ku nënvizoi se ky shërbim tashmë ka marrë një trajtë të plotë pas ndryshimeve ligjor të ndërmarra nga qeveria, si pjesë e paketës së Reformës Zgjedhore.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të ndihmës ligjore falas, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, është ngritur një sistem i ri i ofrimit të ndihmës ligjore falas, duke në rrathë të parë, zgjeruar gamën e subjekteve që përfitojnë nga ndihma ligjore falas. E dyta, duke përfshirët llojet e ndihmës ligjore falas, ato parësore dhe ato dytësore, të cilat më përpara nuk kanë pasur këtë lloj shtrirje dhe këtë lloj legjitimiteti edhe në ligjin për ndihmën ligjore falas”, – tha Gjonaj.

“Ndihma ligjore falas parësore është dhe këshillimi që avokatët i japin qytetarëve, një këshillim falas, që ofrohet nga shtetit dhe njëkohësisht nga avokatët që do të paguaj shteti. Dhe ndihma ligjore falas dytësore ka të bëjë me përpilimin e dokumentacionit për në gjykatë apo përfaqësimi në gjykatë e të gjithë atyre që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë përfitues nga ky shërbim. Vetë ligji ka patur një risi, pasi jo vetëm ka zgjeruar gamën e subjekteve që përfitojnë, duke bërë pjesë të kësaj game të gjitha subjektet që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar një avokat, që më herët është ofruar kryesisht nga avokatët e shoqërisë civile, tashmë është krijuar mundësi që ky avokat të ofrohet nga shteti, përmes drejtorisë së ndihmës ligjore falas. Kjo drejtori jo vetëm që rregullon dhe menaxhon, organizon dhe merret me pjesën rregullatore të ndihmës ligjore falas parësore dhe dytësore, por dhe monitoron cilësinë e punës së avokatëve që paguhen nga buxheti shteti dhe menaxhohen nga kjo drejtori”, – shtoi Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh se risi e skemës është dhe përfshirja e organizatave të ndryshme civile në dhënien e kësaj ndihme, teksa shtoi dhe forcimin e bashkëpunimit me Dhomën Kombëtare të Avokatëve.

“Një risi tjetër, që në fakt na ka ardhur një skemë e re, që për ta bërë një skemë të suksesshme, një skemë që është e suksesshme dhe në vendet e rajonit, është zgjerimi subjekteve që ofrojnë ndihmë ligjore falas, ku jo vetëm drejtoria e ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, por janë dhe organizatat, që janë autorizuar nga Ministria e Drejtësisë për të ofruar këtë shërbim falas, ashtu siç janë dhe klinikat e ligjit, që bashkëpunojnë me ne për të ofruar ndihmë ligjore falas parësore apo dytësore. Me ligj, janë përfshirë dhe subjekte të tjera, siç është dhe dhoma kombëtare e avokatisë me të cilën do vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tej për të rritur cilësinë e avokatëve. Dhe e dyta, me profilizimin e avokatëve, që lidhen me sektorët specifik, sidomos për të cilat ato që lidhen me subjektet që përfitojnë automatikisht nga ndihma ligjore falas, siç janë gratë e dhunuara, të miturit, gratë e trafikuara… etj., do të jetë pikërisht profilizimi i avokatëve që do japi një ndihmë të madhe në këtë drejtim”, – tha Gjonaj.

Gjonaj tha se shërbimi juridik falas online është përfituar nga 1050 qytetarët.

“Kemi një platformë që ofrohet shërbimi juridik falas online, që na u diktua nga pandemia dhe ku u erdhëm në ndihmë 1050 qytetarëve me ndihmë ligjore falas online përmes kësaj platforme për një periudhë gati 6 muaj”, – theksoi Gjonaj.

“Një aspekt tjetër organizatat që ofronin kanë qenë kryesisht të fokusuara këtu në Tiranë, tashmë ne së bashku me ndihmën e organizatave që janë autorizuar nga Ministria e Drejtësisë për të ofruar këtë shërbim, kemi një shtrirje më të gjerë në territori. Njëkohësisht 12-të organizatat që janë autorizuar nga Ministria e Drejtësisë në fillim të shtatorit, po kryejnë të gjithë procesin në disa rrethe të vendit për të pasur një shtrirje sa më të gjerë dhe duke i ardhur në ndihmë dhe shtatë qendrave të ngritura nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Bashkitë”, – tha ajo.

Gjonaj shtoi se, “gjatë vitit 2020 kemi korrur një sukses, për sa i takon ndihmës dytësore falas, ku kemi pasur 64 vendime nga Gjykata për pranimin e kësaj ndihme. Deri në fund të dhjetorit kjo ndihmë ligjore pritet të shtrihet dhe në katër rrethe për të mbuluar të gjithë territorin”.

“Sot ligji i ri i jep mundësi të gjithë qytetarëve që kanë probleme me çështje administrative, civile, apo penale, për të marrë ndihmën ligjore falas, mjafton të ketë një nga kriteret për pamjaftueshmërinë financiare për të marrë ndihmë ligjore, atëherë do kenë ndihmë ligjore falas”, – përfundoi Gjonaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.