VIDEO/ Mbi 1.7 milionë rasate korani hidhen në liqenin e Ohrit

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në Liqenin e Pogradecit ka nisur hedhja e rasatit të koranit. Një sasi rekord prej plot 1.7 milionë rasate korani është hedhur në liqenin e Ohrit.

Në nisje të këtij procesi i pranishëm në Pogradec ishte ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Arjanit Hoxha.

“Bashkë me homologun dhe mikun tim nga Maqedonia e Veriut, Arjanit Hoxha iu bashkuam këtij procesi tejet të rëndësishëm për pasurimin e një aseti të jashtëzakonshëm natyror që kanë dy vendet tona dhe bota mbarë”, shprehet Çuçi.

Çuçi tha se, “për ta menaxhuar akoma më mirë liqenin e Ohrit do të nënshkruajmë së shpejti një marrëveshje tjetër me vendin fqinjë për të rregulluar aktivitetin e peshkimit dhe mbrojtjes së florës e faunës së rrallë që gjendet në këtë hapësirë”.

Sasia e rasatit të koranit këtë vit ka arritur shifra rekord, 1.620.000 copë, nga të cilat 610 mijë u lëshuan në liqen në mesin e muajit shtator të këtij viti dhe pjesa tjetër prej 1.7 milionë u lëshua këto ditë tetori.

Ripopullimi me rasate të koranit, të kësaj specieje endemike të liqenit të Ohrit, është një mbështetje e qeverisë shqiptare për peshkimin në Pogradec si dhe mbrojtjen e biodiversitetit. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.