TVSH 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet në infrastrukturën sportive

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Qeveria Shqiptare po vijon finalizimin e iniciativës për reformimin e sportit, me qëllim mbështetjen, nxitjen dhe zhvillimin e sportit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se janë ndërmarrë një sërë masash konkrete në mbështetje të një sektori të dashur për qytetarët dhe sportdashësit.

Ndër masat konkrete që janë marrë këtë vit për të mbështetur këtë sektor, ministrja Denaj renditi dy ndryshime në ligjin mbi tatimin e te ardhurave.

“Rritëm nga 3% në 5 % shumën e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet. Me fjalë të thjeshta, kemi ulur fitimin e tatueshëm të çdo kompanie që sponsorizon sportin. Për çdo kompani, me fitim mbi 100 milionë lekë dhe me sponsorizim deri në 5%, i njohim 3-fish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm”, tha Denaj në fjalën e saj në Kuvend.

Kemi ndërmarrë këto ndryshime, vijoi fjalën ajo, pasi janë sisteme të cilat nxisin financimet e nga vet bizneset që kanë dëshirë të investojnë apo financojnë më shumë sportin.

Gjithashtu, theksoi ministrja Denaj, përjashtuam të ardhurat personale të sportistëve nga tatimi mbi të ardhurat për 2 vite, për ti dhënë një hov zhvillimit të sektorit.

“Ne mund të diskutojmë nëse kjo kohë është e mjaftueshme , por mendoj që lejon këtë sektor të formalizohet dhe zgjatja e këtij afati është e panevojshme”, deklaroi Denaj.

Denaj theksoi se ndryshimet e ligjit për TVSH-në parashikojnë, që prej vitit 2021, të aplikohet shkalla e reduktuar e TVSH-së prej 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive.

“Pra, furnizimi i shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, në infrastrukturën sportive të përcaktuar në legjislacionin e fushës për sportin, të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së prej 20 %, por të trajtohet me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 6%”, u shpreh Denaj.

Për të gjithë furnizuesit e punimeve të ndërtimit, tha Denaj, ndonëse do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, do të zbresin të plotë TVSH-në e paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve ne funksion të këtyre punimeve.

“Edhe kjo masë vjen pikërisht në mbështetje të nxitjes dhe promovimit të sportit, duke nxitur investimet dhe lehtësuar barrën fiskale për Klubet Sportive”, u shpreh Denaj./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.