Shqipëri-SHBA, rritje e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Marie Royce, në vazhdën e vizitave të nivelit të lartë të qeverisë amerikane në Shqipëri, në funksion të zgjerimit të prezencës në vendin tonë e të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, për rritjen e investimeve e fuqizimin e mbështetjes për Shqipërinë në çdo fushë.

“Ju jeni më shumë se të mirëpritur si gjithmonë kur dikush vjen nga ajo pjesë e botës nuk me kujtohet në të tërë përvojën time ndonjë vizitë në fushën e arsimit dhe të kulturës që të ishte e këtij niveli, prandaj kjo është një ngjarje e rëndësishme për ne, pasi kam shumë besim tek forca e arsimit, kulturës dhe megjithëse ju kemi parë gjithmonë si superfuqi ka qenë gjithmonë në lidhje me fusha të ndryshme nga arsimi apo edhe nga kultura”, theksoi në fjalën e tij Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “megjithëse kemi pasur që ditën e parë programe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe arsimit, siç e thatë edhe ju, një numër mbresëlënës shqiptarësh përfitojnë nga programet tuaja në SHBA”.

“Ka edhe më shumë shqiptarë që përfitojnë nga programet tuaja në Shqipëri dhe prapë mendoj që ka shumë gjëra të tjera për të bërë dhe shpresoj që vizita juaj të ndihmojë në këtë aspekt, për të bërë më shumë në të ardhmen e afërt e të largët”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “padyshim që ka shumë gjëra fantastike për të mësuar nga SHBA edhe në fushat e arsimit dhe kulturës, por më besoni, nuk janë pak edhe ato që ju mund të mësoni nga kultura jonë. Në fund të ditës kultura është një sferë ku SHBA ka shumë për të mësuar nga shumë vende të tjera që kanë një histori më të gjatë dhe shumë më komplekse të rrënjosur prej mijëra vitesh”.

Kryeministri Rama falënderoi edhe ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

“Falënderoj edhe ambasadoren Kim që ka sjellë shumë energji dhe vullnet për të sjellë më shumë mbështetje edhe në fushën e kulturës dhe arsimit. Falënderoj edhe ambasadoren tonë në SHBA që ka qenë e rëndësishme për ne”, – tha Rama.

/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.