Ndryshimet në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi/ Mundësi organizatave të paraqesin ankesa pranë Komisionerit

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi deklaroi sot se, me ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” u mundëson organizatave të shoqërisë civile të paraqesin ankesa drejtpërdrejtë pranë institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Duke folur gjatë seancës plenare në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, Hysi tha se, “në shoqëritë demokratike dhe në shoqërinë shqiptare, shoqëria civile dhe në mënyrë të veçantë organizatat që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ofrojnë shërbime për viktimat janë një aset i çmuar”.

Pikërisht, shtoi Hysi, “me këto ndryshime përcaktohet roli aktiv i organizatave me interesa legjitime duke u mundësuar atyre mundësinë, duke paraqitur ankesa drejtpërdrejtë pranë institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe të ndjekë rastet që kanë interes publik”.

“Gjithashtu përcaktohet detyrimi i autoriteteve publike për të promovuar barazinë dhe mosdiskriminimin. Është detyrim ligjor dhe kushtetues që të parat institucionet publike duhet të parandalojnë diskriminimin dhe duhet të marrin masa të ashpra ndaj atyre që diskriminojnë”, theksoi Hysi.

“Organet e barazisë si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë institucione që luajnë një rol shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Pikërisht rritja e pavarësisë së këtyre institucioneve, dhe në mënyrë të veçantë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi bëhet duke forcuar kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për drejtues të këtyre institucioneve”, u shpreh Hysi.

“Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur dhe do të shprehë vazhdimisht mbështetjen për burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme për të rritur pavarësinë dhe profesionalizmin e këtyre institucioneve përfshirë edhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, tha Hysi. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.