Maska e detyrueshme kudo jashtë shtëpisë/Braçe apel qytetarëve: Mos dëgjoni politikanët që bëjnë rolin e mjekut

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maska, pasi ky është një realitet i ri me të cilin duhet të mësohemi.

Gjithashtu, Braçe apelon që qytetarët nuk duhet të dëgjojnë politikanët që bëjnë rolin e mjekut, por vetëm ekspertët e shëndetësisë.

“Kudo jashtë shtëpisë. Maska po. Ky është normaliteti i ri i diktuar nga sëmundja, kështu do jetojmë. Virusi COVID-19 u provua se përhapet lehtësisht nga njeriu tek i ngjashmi, mu ashtu si budallallëku përhapet ndër politikanë. Mos i dëgjo ata. Dëgjo mjekun tënd, mjekun e familjes, jo politikanin që ka guximin e budallait të bëj edhe mjekun apo mjekun që kurrë nuk bëri zanatin, por politikanin”, shprehet Braçe.

Siç këto 7 muaj e dëshmuan, nënvizon ai, virusi nuk përzgjedh as në gjini, moshë, origjinë, gjuhë, as në mal e as në fushë, as prej pasurisë.

“Por një dallim e ka bërë qartë: Atë mes të përgjegjshmit dhe të papërgjegjshmit. Nuk është si dallimi mes trimit, heroit dhe frikacakut, tradhtarit. Nuk ka trima në këto 7 muaj dhe heronjtë nuk janë idiotët-politikanë e analistët rreth tyre që mohojnë virusin, refuzojnë masat mbrojtëse ndaj tij, përhapin me dhunë standardin idiot të tyre. E provuar është kjo, do shihni gjithnjë e më shpesh si zhduken për dy javë, fiks dy javë, do i dëgjoni po aq shpesh se si do thonë se hoqën dhembin, veshin apo bajamet duke ju gënjyer sy me sy. Ndërkohë që ju thonë këtë, kyçen në vilat e tyre. Ndërkohë që ju thonë “maska nuk u mbron”, kyçen edhe më shumë në po ato vila”, vijon zv.kryeministri.

Më tej, Braçe thekson se maska është një masë plotësuese bashkë me distancimin fizik e higjienën e shtuar. “Nuk ju mbron tamponi – siç u thotë urrejtësi që mendon se sa më shume nga ju të humbni jetën, aq më shpejt vjen ai ne pushtet. Maska nuk është sfidë ndaj Qeverisë, por ndaj jetës suaj! Ju mbron maska, distancimi fizik dhe higjiena”.

“Ai dhe ajo duan pushtetin, ju duhet të doni veten, familjen, shoqërinë. Nuk janë ai apo ajo heronjtë tuaj, ata janë gënjeshtarët tuaj. Heroi yt është mjeku, infermieri, mjeku i familjes, infermieri bashkë me të, farmacisti, cilido prej familjarëve që do të shërbejë, rrezikojnë jetën ata për ty. Heroi yt është mjeku e infermieri në Infektiv apo Sanatorium. Por deri atje e ke ti në dorë. Mos e bëj veten për mjekun. Mbro veten, familjen, fqinjët, patjetër edhe mjekun. Jeta është e shtrenjte. 434 shqiptarë sot nuk janë më për shkak të sëmundjes, i shtrenjtë secili prej tyre. Lutuni për ta”, nënvizon Braçe. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.