31 milionë euro investime në infrastrukturën sportive/ Ylli: 6% TVSH, synojmë ta shtrijmë edhe për investimet private

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli u shpreh sot se, në kuadër të reformës në sport, qeveria ka ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të përmirësuar situatën në këtë sektor.

Në fjalën e tij në Kuvend, Ylli tha se “ndërhyrja në Kodin Penal ka forcuar masat ndaj dhunës në stadiume, ndërsa ndryshimet në ligj kanë adresuar lehtësi fiskale për sportistët elitarë. Sporti në këto 30 vite ka vuajtur pasi qeveritë në vite e kanë parë sportin si një thelë për mbi bisht, por qeveria Rama në këto 7 vite ka investuar në këtë sektor aq sa nuk është bërë për sportin në 100 vite të shtetit shqiptar”.

“Janë 31 milionë euro që janë investuar në infrastrukturën sportive të cilat janë të prekshme duke filluar me stadiumin e Elbasanit, të Shkodrës, Kukësit, stadiumin “Arena Kombëtare”, Tirana Olimpik Park dhe Qendra Olimpike Korçës si dhe 64 palestra në të gjithë Shqipërinë”, tha Ylli, ndërsa nënvizoi se, “kjo tregon që qeveria shqiptare e ka futur sportin në prioritet të saj, duke e konsideruar sportin si një aset të çmuat në duart e saj dhe të qytetarëve të saj”.

Duke u ndalur në uljen e TVSH-së 6% për investimet shtetërore në infrastrukturën sportive, Ylli tha se, “kemi marrë nismën që të gjitha materialet që vijnë nga importi të gjitha janë pa doganë dhe taksës doganore dhe kjo është një ndihmë e madhe që do të thotë që investimet në infrastrukturën sportive të kenë lehtësi fiskale”.

“Ligjin 6% për TVSH-në, incentivë që synojmë ta shtrijmë edhe për investimet private, ndërsa do të ulemi dhe diskutojmë me përfaqësuesit e Ligës profesioniste të futbollit që kërkojnë faljen e taksave dhe ligjin e sportit dhe 6% për të gjitha produktet e sportit”, – deklaroi Ylli. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.