Si të trajtojmë sëmundjet e stomakut

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Gastriti është inflamacion i mukozës së stomakut, pra i shtresës së brendshme që vesh stomakun.

Gastriti është një patologji shumë e përhapur dhe ekzistojnë një sërë faktorësh që çojnë në shfaqjen e tij. Për shumë persona gastriti mund të mos jetë një gjendje edhe aq serioze kjo për faktin se në momentin e marrjes së trajtimit të duhur simptomat e gastritit përmirësohen ndjeshëm por në rast se nuk ka përmirësim kjo patologji mund të zgjasë edhe me vite.

Ekspertët e Shëndetësisë thonë se shumica e personave me gastrit mund të mos shfaqin asnjë lloj shenje apo simptome, por në rastet kur shoqërohet me simptoma ato përfshijnë: mostretje të ushqimit, dhimbje dhe djegie të stomakut, të përziera dhe të vjella, ndjesi tejngopje dhe fryrje pas konsumit të vakteve.

Në raste të caktuara, me përkeqësimin e situatës mund të kemi edhe simptoma të tjera të shtuara si dhimbje, gjakrrjedhje apo edhe ulçer të stomakut.

Simptomat e gastritit mund të fillojnë në mënyrë të papritur dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me gastrit akut ose simptomat shfaqen ngadalë në kohë dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me gastrit kronik.

Por si trajtohet gastriti?

Mjekët thonë se trajtimi i gastritit synon reduktimin e aciditetit në stomak që çon edhe në reduktimin deri eliminimin e plotë të simptomave. Në varësi nga shkaktari i gastritit varion edhe trajtimi i tij. Pra, në rastet kur shkak i gastritit është bakteri Helicobacter Pylori, atëherë trajtimi synon në çrrënjosjen e këtij bakteri, ndërsa në rastet kur shkaktar mund të jenë medikamentet antiinflamatore josteroid atëherë procedohet me ndalimin e marrjes së tyre nga ana e pacientit, gjë që në të shumtën e rasteve ka rezultuar efektive.

Gjithsesi, në çfarëdolloj rasti rekomandohet që të drejtoheni për konsultë te mjeku specialist gastroenterolog i cili është përgjegjës si për diagnostikimin ashtu edhe për përcaktimin e mënyrës adekuate të trajtimit të gastritit.

Për të lehtësuar simptomat mjeku specialist mund t’ju rekomandojë marrjen e antiacideve, mjekim ky që synon në neutralizimin e aciditetit në stomak dhe që lehtëson dhimbjen. Ndërkohë, ju mund të bëni edhe diçka tjetër. Mund të konsumoni shpesh dhe porcione të vogla, evitoni ushqime që irritojnë stomakun si ato djegëse, të skuqura, reduktoni sasinë e alkoolit ose eliminojeni atë totalisht, mundohuni të menaxhoni stresin.

Gastriti kronik shton rrezikun për komplikacione mjekësore të tipit: Ulcer në stomak, krijimin e polipeve në stomak dhe në raste të caktuara mund të çojë deri edhe në kancer të stomakut. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.