Masat antiCOVID/ Deputetët e Komisionit të Shëndetësisë, vizitë në spitalin e Lezhës

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Çështjet e shëndetit në qarkun e Lezhës ishin në fokus të një vizite monitoruese në terren që Komisioni kuvendor për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi dje në spitalin rajonal të Lezhës dhe në shërbimin e mamografisë të këtij spitali.

Komisioni zhvilloi një mbledhje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prefekturës së Lezhës, institucioneve të shëndetit publik të nivelit qendror (ISHP, FSDKSH), deputetë të qarkut të Lezhës, si edhe të përfaqësuesve të strukturave shëndetësore vendore.

Duke qenë se tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një nga temat kryesore të takimit ishte gjendja një vit pas futjes së shërbimit të mamografisë në spitalin rajonal të Lezhës.

Po ashtu, u diskutua edhe për zbatimin e masave kundër Covid-19-s të parashikuara në aktet normative të miratuara nga Kuvendi, për ndikimin e tyre në shëndetin publik në Lezhë, si edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional gjatë pandemisë.

Më pas, një numër i kufizuar anëtarësh të Komisionit (për shkak të kufizimeve Covid-19) vizitoi mjediset e spitalit për të marrë informacion të dorës së parë rreth sfidave që has personeli mjekësor në punën e përditshme dhe për të vëzhguar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Vizita u mbështet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e ndihmës që i jep Kuvendit për të forcuar komunikimin dhe kapacitetet monitoruese.

Prezenca thekson se do të vijojë ta nxisë dhe ta ndihmojë Kuvendin në organizimin e vizitave të tilla, edhe përmes projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca dhe mbështetet nga qeveria zvicerane.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.